Tiranë, 16 shkurt 2011 NOA I Plotë- Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i shprehu urimet më të ngrohta, të sinqerta e vëllazërore popullit të Kosovës me rastin e tre vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Në përshëndetjen e kësaj date historike, Kryetari i Shtetit shqiptar, nëpërmjet një mesazhi drejtuar Presidentit në detyrë të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqit, theksoi se në këtë përvjetor të tretë të Pavarësisë, të gjithë shqiptarët u janë mirënjohës edhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, në radhë të parë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Bashkimit Evropian për rolin e tyre të jashtëzakonshëm në mbështetje të Kosovës për arritjen e Pavarësisë dhe njohjen e saj nga një e pjesë e rëndësishme e vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
“Ndihmesa dhe mbështetja e tyre nuk u ka munguar shqiptarëve edhe në përballjen me sfidat nga më të vështirat të kohëve moderne. Duket se një ndër këto sfida, të cilat ne kemi besimin se do të përballohet me sukses është edhe Raporti i Dik Martit dhe trillimet ultranacionaliste”, - thotë kryetari i shtetit.
Kurse shpreh bindjen: “Ne kemi besim se Kosova do ia dalë mbanë dhe rrugëtimi i saj euroatlantik do të kurorëzohet me sukses”.
Më poshtë vijon mesazhi i plotë: “I dashur zoti Krasniqi, Si President i Republikës së Shqipërisë është nder për mua t’ju drejtohem në momentin kur Kosova dhe mbarë kombi shqiptar festojnë Ditën e Pavarësisë së saj, këtë ditë, e cila përcaktoi në mënyrë përfundimtare fatin dhe perspektivën e qartë të Kosovës si një shtet i lirë, sovran, i pavarur dhe multietnik, me një të ardhme të konfiguruar qartë me vlerat dhe standardet euroatlantike. Historia e mbarë popullit shqiptar është një kalvar i pandalshëm sakrificash, përpjekjesh dhe aspiratash, por Dita e Pavarësisë është pika kulmore e historisë moderne të Kosovës, që do të mbetet ngaherë si një datë e pashlyer dhe një pikë reference e jashtëzakonshme për brezat e sotëm të shqiptarëve dhe ata që do të vijnë. Në këto tre vite të Pavarësisë, Kosovën dhe popullin e saj vital, martir dhe atdhedashës, ne dhe opinioni botëror mbarë e pa të ngrihej nga traumat e së kaluarës duke synuar zhvillimin e Kosovës si një shtet me sistem të qëndrueshëm politik dhe të gatshëm për të ofruar formulën e zhvillimit të tij në shoqëri. Klasa politike dhe udhëheqësit politikë kosovarë dëshmuan në momente thelbësore për Kosovën se kanë mjetet praktike institucionale dhe ligjore për koordinimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të reformave kyçe dhe të politikave strategjike të shtetit. Në përpjekje për të strukturuar politikisht një pushtet të përgjegjshëm dhe kompetent, që di t’i përgjigjet më së miri nevojave të qytetarëve dhe t’u përgjigjet interesave kombëtare duke ofruar mënyra të vërteta demokratike, shteti i ri dhe populli i Kosovës duket se ia kanë dalë mbanë, duke ndërtuar në këto tre vite pavarësie atë, për të cilën shoqëritë vijojnë të përpiqen edhe sot: një shtet multietnik të bazuar mbi respektimin e të drejtave të të gjitha pakicave. Natyrisht, në këtë rrugë të mundimshme, Kosova nuk qe e vetme. Në këtë përvjetor të tretë të Pavarësisë, të gjithë shqiptarët u janë mirënjohës edhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, në radhë të parë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Bashkimit Evropian për rolin e tyre të jashtëzakonshëm në mbështetje të Kosovës për arritjen e Pavarësisë dhe njohjen e saj nga një e pjesë e rëndësishme e vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ndihmesa dhe mbështetja e tyre nuk u ka munguar shqiptarëve edhe në përballjen me sfidat nga më të vështirat të kohëve moderne. Duket se një ndër këto sfida, të cilat ne kemi besimin se do të përballohet me sukses është edhe Raporti i Dik Martit dhe trillimet ultranacionaliste. Ne kemi besim se Kosova do ia dalë mbanë dhe rrugëtimi i saj euroatlantik do të kurorëzohet me sukses. Me këtë rast, në cilësinë e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, do të dëshiroja të shpreh edhe urimet më të mira për konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve legjitime të Kosovës, të dala nga zgjedhjet e fundit të përgjithshme, zgjedhje që dëshmuan edhe njëherë se populli i Kosovës dhe udhëheqësit e tij po zbatojnë më së miri standardet demokratike të një shteti modern dhe evropian. Gjithashtu do të doja të shprehja edhe urimet më të thella e të sinqerta për popullin e Kosovës dhe institucionet e saj legjitime me rastin e trevjetorit të shpalljes së mëmvetësisë saj”.
e.t/NOA