English

Rama: Nuk bojkotojmë zgjedhjet vendore, pa ne nuk bëhen

Tiranë, 16 shkurt 2011, NOA/ Irma Toptani – Lideri i opozitës pas kthimit nga Strasburgu ku u takua me krerë të grupit Socialist e Demokrat në Parlamentin Europian deklaroi në një bashkëbisedimin me mediat këtë pasdite se opozita është e vendosur në kërkesën e saj për largimin e qeverisë Berisha nga pushteti.

Duke e cilësuar si shkaktare të krizës së thellë qeverinë e kryeministrit Sali Berisha, lideri i opozitës deklaroi se kjo qeveri nuk është më përfundimisht qeveri e Shqipërisë, pasi ajo ka vrarë njerëz për të mbajtur pushtetin e saj.

Rama këmbënguli në idenë e opozitës se zgjidhja e krizës vjen vetëm përmes zgjedhjeve të reja.

“Dalja e plotë nga kriza mund të garantonte zgjedhjet e reja, që shqiptarët të rizgjedhin në mënyrë të ndershme qeverinë e tyre duke ristartuar edhe politikën e re në vend”, theksoi Kryetari i Partisë Socialiste.

Ai ritheksoi se opozita nuk e ka menduar asnjëherë të bojkotojë zgjedhjet e 8 majit, duke theksuar se këto deklarata vijnë vetëm nga ana e pushtetit dhe mediave në shërbim të tij.

“E përsëris as kemi menduar dhe as kemi thënë ndonjëherë që do të bojkotojmë zgjedhjet vendore. Kjo është një dëshirë e artikuluar vetëm nga mediat që i shërbejnë Saliut dhe nga vetë ai kudo ku ka shkuar”, nënvizoi Rama.

“Ne e kemi bërë të qartë kur ishin të gjitha kushtet optimale që të merreshin masat e nevojshme për garantimin e zgjedhjeve”, tha Rama duke nënvizuar se “bojkoti nuk është opsioni ynë”, e duke theksuar se “pa opozitën nuk mund të ketë zgjedhje”.

Kryesocialisti Rama i bëri thirrje popullit të rikthehet në boulevard dhe të protestojë për largimin e regjimit të kusarisë.

Sipas Ramës gjithçka që opozita do ta bëjë do ta fokusojë në dhënien fund sa më parë të regjimit të kusarisë.

Rama i bëri thirrje popullit t’i bashkohet opozitës të premten në 18 shkurt, në orën 16.00 në një protestë të madhe në boulevard.

Shefi i selisë rozë tha se lajtmotiv i kësaj proteste do të jetë ngritja për të vrarët e 21 janarit, për të cilët nuk mund të ketë kurrë drejtësi në këtë pushtet kusarie.

Lideri i opozitës shprehu mirënjohjen e tij edhe për kryekomisioneren e BE-së baroneshën Katherin Ashton dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndërhyrjet e tyre domethënënse në të mirë të zgjidhjes së situatës politike në Shqipëri.

mit/NOA

KOMENTE