English

Shën Pushteti

"Festa e Shën Valentinit iu takon më së shumti politikanëve. Ata janë të dashuruar, shumë bile, në pushtet, privilegje, para. Shën Valentini i sivjetmë i gjeti në kulmin e bisedimeve për ndarje pushteti. Arritën edhe marrëveshje. Dy muaj pas zgjedhjeve, pas maratonës së rivotimeve e rinumërimeve, mezi u gjet zgjidhja për krijimin e institucioneve të reja".

Nga Imer Mushkolaj

1.

Përveç Një Prillit, ditë të cilën politikanët gjithsesi do të duhej ta futnin në kalendarin e festave të tyre zyrtare, 14 Shkurti është një tjetër datë e shënuar për ta. Shën Valentini, festa e të dashuruarve, assesi nuk i anashkalon ata që bëjnë politikë në Kosovë. Sepse, janë të dashuruar deri në vesh. Të dashuruar në pushtet, privilegje, para.

Shën Valentini i sivjetmë i gjeti në kulmin e bisedimeve për ndarje pushteti. Arritën edhe marrëveshje.

Dy muaj pas zgjedhjeve, pas maratonës së rivotimeve e rinumërimeve, mezi u gjet zgjidhja për krijimin e institucioneve të reja. Jo pse po bëheshin pazare për marrjen e përgjegjësive më të mëdha, por po negociohej për marrjen e copës më të madhe të pushtetit.

Të qenit në pushtet në Kosovë më së paku nënkupton përgjegjësi. Të tjera gjëra janë të rëndësishme: nga askushi bëhesh dikushi, llogaritë në banka sa s’pëlcasin e privilegjet të shoqërojnë në çdo hap. Kosova e varfër është për qytetarët e rëndomtë, e jo për ata që i udhëheqin.

2.

Një sheik e kishte dërguar të birin për të studiuar në Perëndim. Pas një kohe, ai i shkruan letër të atit. I thotë se gjithçka është në rregull, por se po ndihej keq për shkak se vetëm ky po shkonte në shkollë me veturë. Sheiku, duke mos menduar gjatë, ia kthen: Çka po pret bir, paratë i ke, blije një tren dhe shko në shkollë me të!

Halli i djalit ishte se profesorët e tij vinin në shkollë me biçikleta, e ky si student voziste veturë!

Sheikët iu takojnë vendeve arabe. Në Kosovë, ndonëse nuk quhen sheikë, politikanët pushteti i ka bërë të tillë.

Ka ndër ta që, jo që nuk shkonin në shkollë me biçikletë, por as nuk kishin biçikletë, e tash kanë pasuri pa fund. Për një kohë të shkurtër, ata janë kthyer në tipa që s’ia dinë fundin pasurisë. Kanë bërë miliona në kurriz të një populli të varfër e të papunë, të cilit buka i shtrenjtohet çdo ditë, jeta i vështirësohet çdo ditë, e laku i ngushtohet çdo ditë.

Është absurde të mendohet se gjithë pasurinë e kanë arritur me pagat që marrin, ashtu siç është fyese kur i dëgjon të thonë se gjithçka që bëjnë, e bëjnë “për të mirën e Kosovës”.

Fëmijët, farefisin e kushërinjtë i kanë rehatuar si është më së miri, por nuk ngopen dot. “Dashuria për atdheun” e bën të veten!

3.

Përfitimet nga pushteti kanë bërë që në zgjedhjet e fundit, kandidatë dhe parti të mos zgjedhin formë as mjete për të fituar sa më shumë vota. Çdo votë automatikisht përkthehet në euro, e shumë kandidatë nuk kursyen mijëra euro për të blerë vota, për të blerë vëzhgues e komisionerë.

Jo se një gjë e tillë nuk kishte ndodhur edhe në të kaluarën, por kësaj radhe beteja ishte e ashpër.

Mjafton të shihet ç’pasuri kanë deklaruar vetë politikanët dhe një llogari e thjeshtë tregon se si në mënyrë marramendëse, nga njerëz që kanë banuar me qira, janë bërë pronarë patundshmërish. Nga njerëz që mezi e kanë lidhur muajin me muaj, kanë mbledhur kursime të majme.

Së fundi, bllokimi i krijimit të institucioneve mos mendoni se bëhej për kushedi çfarë parimesh e rregullash politike. Gjithçka kishte të bënte me interesa personale, klanore. Jo me ndarje përgjegjësish, por ndarje përfitimesh.

As për pushtetarët “e rinj” nuk kemi kurrfarë arsye të ndërrojmë mendje. Na mbetet vetëm të shohim kush ku do të sistemohet e kush sa do të përfitojë.

Sheiku i barcoletës nuk e feston Shën Valentinin, por tashmë shërben si model perfekt për ata që dashurinë më të madhe e shprehin ndaj karrigeve të pushtetit. Natyrisht, “për të mirën e Kosovës!”

NOA

KOMENTE