English

Spahiu: KLD do nisë verifikimin e vendimeve për ndërrimin e kombësisë

Tiranë, 16 shkurt 2011, NOA – Pas mbledhjes së sotme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë ku Kryetari i KLD-së, Presidenti Bamir Topi deklaroi se ky institucion duhet t’i japë zgjidhje problemeve të drejtësisë, Nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu informoi në një prononcim për mediat se për ndryshimet e paligjshme të kombësisë në disa qytete në jug të vendit KLD do të nisë verifikimet e të gjitha vendimeve të gjykatave si dhe do të verifikojë të tëra proceduarat e gjykatave për këtë çështje. Nënkryetari i KLD-së bëri me dije se për këtë verifikim Kryetarja e Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj do të vërë në dispozicion të gjitha vendimet e Gjykatës së Lartë për ndërrimin e kombësisë.

“Kryetarja e Gjykatës së Lartë sapo ka nxjerrë dhe do të vërë në dispozicion të gjitha vendimet e Gjykatës së Lartë, të cilat kanë cënuar për shkelje ligjore vendimet e gjykatave më të ulëta për ndryshim kombësie”.

Sipas Spahiut do të verifikohet edhe ndërtimi i ndërgjygjësisë, pasi sikundër cilësoi ai “në disa raste janë paraqitur me kërkesë, në disa raste me palë kundërshtare ka qenë shteti nëpërmjet Gjendjes Civile”.

Gjithashtu Nënkryetari i KLD-së tha se Ligji për Gjendjen Civile ka probleme kushtetuese, të hasura siç argumentoi ai edhe nga gjyqtarët.

Nënkryetari i Këshillit të lartë të Drejtësisë informoi gjithashtu se në bashkëpunim me Ministrin e Drejtësisë është vendosur të ndryshohet Kodi i Procedurës Penale me synimin për të ndaluar zvarritjet e proceseve gjyqësore për mungesë të avokatëve, sikundër ka ndodhur me një nga çështjet më të nxehta gjyqësore ajo e Gërdecit, për të cilën Presidenti Topi bëri thirrje që drejtësia të japë drejtësi.

Përmes ndryshimeve të reja edhe në ligjin për avokatinë, bëhet me dije se në këto ndryshime do të gjejnë vend edhe masat disiplinore për shkaktarët e shtyrjeve të gjyqeve, e kthyer në një gjë të natyrshme në Gjykatat Shqiptare, ku pritet me vite dyerve të gjykatave për të marrë drejtësi.

Statistikat flasin se 6 vitet e fundit kanë ndërruar kombësinë mbi 2200 persona në jug të vendit, 1600 në Gjirokastër, 400 në Përmet dhe 200 në Sarandë.

Ndërkohë që sot Gjykata e Shkallës së parë të Korçës u riktheu kombësinë shqiptare 72 personave nga bashkia e Leskovikut, të cilët kishin marrë kombësi greke në mënyrë të paligjshme, vetëm duke paguar një punonjës të Gjendjes Civile të Leskovikut.

Gjykata pasi gjeti parregullsi në regjistrat e gjendjes civile dënoi me burg Filip Koçollarin, i cili si punonjës i gjendjes civile kundrejt parave u falsifikonte dokumentet dhe u kishte ndërruar kombësinë 72 personave në Leskovik.

mit/NOA

KOMENTE