Prishtinë, 16 shkurt 2011, NOA- “Në përgjegjësinë time si kryeministër dhe mandatar për formimin e qeverisë së re, për mandatin e ri katërvjeçar, të cilin pritet ta fillojmë nga fillimi i javës së ardhshme, pasi që kuvendi i ri me deputetë të rinj do të mblidhet këtë të hënë, dëshiroj të them se tanimë unë jam në përfundim të negociatave me partitë politike partnere, me të cilat do të punojmë shumë në realizimin e Kosovës evropiane e të zhvilluar”, tha për mediat, Kryeministri në ikje Hashim Thaçi.
Sipas tij pritet që qeveria e re e Kosovës pritet të fillojë punën të hënën e ardhshme.
Thaçi e cilësoi se shumë të suksesshëm procesin e fundit zgjedhor, dhe shtoi se angazhimi i parë i qeverisë së re do të përqendrohet në reformat zgjedhore.
“Do të kemi një bashkëpunim të mirë, të ri, të pandodhur më herët në raportet pozitë-opozitë. Ky bashkëpunim do të jetë për të mirën e vendit, të mirën e shtetit dhe të të gjithë qytetarëve. Natyrisht se Kosova do të ketë pozitë dhe opozitë, por do të kemi shumë gjëra që më tepër do të na ofrojnë në bashkëpunim me opozitën në parlament, për reformat demokratike në politikë, ekonomi dhe në legjislacion”, u shpreh ai.
a.y/NOA