Obiliq, 15 shkurt 2011NOA - Kryetari i Komunës Mehmet Krasniqi priti koordinatorin e Agjencionit për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar i Republikës së Turqisë, Adem Urfa dhe zv.koordinatorin e po kësaj agjencie.
Fokus i bisedimeve i delegacionit të TIKA-s ishte interesimi i restaurimit të Tyrbeve të Bajraktarëve afër Gazimestanit.
Sipas z.Urfa kishin informacione nga Arkivi i Turqisë rreth këtyre Tyrbeve se aty dikur ka ekzistuar një kompleks i pasur infrastrukturor, si objekt i klasikës osmane.
U shpreh dëshira e tyre që edhe një herë ta bëjnë një objekt ashtu siç ka qenë dikur.
Njëherit, sipas tij kishin marrë edhe përkrahjen e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Kosovës për një gjë të tillë.
Ky objekt përveç rëndësisë historike do të bëjë të mundur edhe zhvillimin e turizmit dhe të ekonomisë përmes rrjetit të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, për ta promovuar turizmin edhe në këtë pjesë.
Punimet në restaurim do të mund të fillonin në fund të pranverës pasi të merret leja nga Komuna dhe dokumentacioni tjetër përcjellës.
Ndërkaq Kryetari i Komunës Mehmet Krasniqi mirëpriti interesimin e tyre për këto objekte historike duke premtuar se Komuna në afatin rekord do t’u dalë në ndihmë në aspektin e pajisjes me dokumentacion përkatës, por njëherit kërkoi ndihmë nga TIKA që sipas mundësive të ndihmojnë edhe me ndonjë projekt Komunën, sidomos në asfaltimin e rrugës nga Obiliqi që shpie për në Tyrben e Sulltan Muratit.
Kjo pasi i njëjti kult fetar e historik vizitohet shumë dhe për këtë qarkullimi në këtë linjë është shumë i vështirësuar.
Ai u angazhua se edhe Komuna në këtë drejtim do të participonte me mjete të veta edhe ashtu të pakta.
Takimi u përmbyll me dakordimin e shkëmbimit të projekteve ideore në mënyrë që të shihet mundësia e realizimit konkret të ndonjë projekti eventual.
a.b/NOA