English

Vendimet që miratoi Këshilli i Lartë i Drejtësisë

Tiranë, 16 Shkurt 2011 NOA - Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në mbledhjen e sotme, gjatë shqyrtimit të një axhende të ngarkuar me çështje të rëndësishme për organizimin dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë, i kushtoi një vëmendje të veçantë:

- administrimit të procesit penal, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Gërdec, pasi analizoi disa prej faktorëve kryesorë që kanë ndikuar në ecurisë normale të këtij procesi, me pasojë shuarjen e masave të sigurimit ‘arrest në burg’ për të pandehurit në këtë çështje. Kryetari i gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Artan Zeneli, ishte i pranishëm në këtë seancë, i cili informoi anëtarët e Këshillit, në lidhje me masat administrative që janë marrë, në funksion të realizimit të këtij procesi, brenda afateve të arsyeshme ligjore;

- si edhe ecurisë të një sërë procesesh penale në shqyrtim, pranë gjykatës së shkallës së parë për krime të rënda, në të cilat, të pandehurve u kanë përfunduar afatet e paraburgimit, para se kjo gjykatë të shprehej me një vendim përfundimtar.

Në përfundim të diskutimeve, u vendos me unanimitet realizimi i një inspektimi të përbashkët midis inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Drejtorisë së Inspektimit pranë Ministrisë së Drejtësisë, në lidhje me evidentimin e problematikave me pasojë zvarritjen e gjykimeve dhe adresimin e tyre në rrugë institucionale. Konkretisht, inspektimi do të konsistojë në evidentimin e sa më poshtë vijon:

- Aspektin organizativ të proceseve gjyqësore;

- Respektimin e procedurave ligjore;

- Respektimin e afateve procedurale;

- Vlerësimin e kostove financiare të procesit.

Së dyti, duke marrë shkas nga të dhënat të bëra publike ditët e fundit, si edhe nga shqetësimet e parashtruara nga disa kryetarë të gjykatave, sidomos në jug të vendit, në lidhje me numrin në rritje të çështjeve për ndryshim kombësie, Këshilli vendosi realizimin e një inspektim të përbashkët tematik, midis Inspektoratit të Këshilli të Lartë të Drejtësisë dhe Drejtorisë së Inspektimit pranë Ministrisë së Drejtësisë, në lidhje me gjykimin e çështjeve civile, me objekt ndryshimin e kombësisë në gjykatat e shkallës së parë dhe gjykatat e apelit. Inspektimi do të fokusohet në ato momente, të cilat mund të kenë krijuar probleme në zbatimin praktik të ligjit material dhe procedural, si më poshtë:

1. Evidentimi i vendimeve të cënuara nga gjykatat më të larta dhe shkaqet e cënimit të tyre;

2. Ndërtimi i rregullt i ndërgjyqësisë në gjykimin e çështjeve më objekt ndryshim kombësie (kryesisht për të verifikuar nëse çështjet janë shqyrtuar me kërkesë apo me padi);

3. Probleme të tjera procedurale, që mund të hasen në zbatimin e dispozitave urdhëruese të ligjit procedural e material, të cilat mund të përbëjnë shkelje disiplinore apo parregullsi të tjera në zbatimin e ligjit.

Gjatë diskutimit të kësaj çështje, kryetarja e Gjykatës së Lartë, Znj. Shpresa Beçaj, shprehu gatishmërinë për të vënë në dispozicion të Këshillit, të gjitha vendimet gjyqësore të Gjykatës së Lartë, me objekt ndryshimin e kombësisë, ku ndër të tjera janë konstatuar shkelje të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit, mbi zbatimin e legjislacionit përkatës procedural dhe material.

Në vijim të mbledhjes, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në funksion të realizimit të një procesi sa më transparent dhe profesional në përzgjedhjen e kandidaturave për gjyqtar me integritet, miratoi projektvendimin “Për organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Shqyrtimit të Kandidatëve për Gjyqtarë”. Procesi i draftimit të këtij projekt vendimi, u asistua nga projekti i Bashkimit Evropian EURALIUS, ku nëpërmjet ekspertëve të tij, u ofruan standarde evropiane, veçanërisht në arsyetimin e çdo propozimi për vlerësimin e kandidatëve për gjyqtarë.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë konkludoi procedurën e shqyrtimit të ankimeve të paraqitura nga gjyqtarët e gjykatës së rrethit gjyqësor Elbasan, ndaj projekt aktit përfundimtar të vlerësimit. Ky proces do të vijojë me vendimmarrjen e Këshillit për vlerësimin përfundimtar të secilit gjyqtar të kësaj gjykate.

Në zbatim të vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë mbi Funksionet Drejtuese, u shpall vendi vakant për funksionin e kryetarit të gjykatës së apelit Tiranë dhe kryetarit të gjykatës së rrethit gjyqësor Korçë.

e.t/NOA

KOMENTE