English

Vetëvendosje reagon për mbledhjen e Kuvendit

“Vendime jodemokratike ende pa u themeluar institucionet”

Prishtinë, 16 Shkurt 2011 NOA - Kryesia e Parlamentit të kaluar mori vendim që mbledhja konstitutive e Kuvendit të Republikës së Kosovës të mbahet më 21 shkurt. Ky vendim për Vetëvendosjen erdhi tani, edhe pse në mbledhjen e parë të ish kreut të Kuvendit dhe kryesisë së bashku me përfaqësuesit e partive politike, si datë e themelimit ishte caktuar 24 shkurti.

Lëvizja Vetëvendosja ka reaguar kundër vendimit të kryesisë së Kuvendit që mbledhja konstitutive e përbërjes së re të mbahet më 21 shkurt, e jo në 24 shkurt siç ishte caktuar. ”Për ndryshimin e datës nuk u pyetën subjektet politike. Lajmin për ndryshimin e datës së themelimit të Kuvendit Lëvizja Vetëvendosje! e mësoi nga mediat”.

Lëvizja Vetëvendosje! tha se i kundërshton praktikat e tilla jodemokratike të vendimmarrjes institucionale, të cilat subjektet politike i trajtojnë si dekor apo objekte që duhet t’i përshtaten vendimeve arbitrare. Ne jemi për institucione politike të cilat funksionojnë në mënyrë demokratike – ku ka llogaridhënie dhe transparencë.

Lëvizja Vetëvendosje! sqaron se do të marrë pjesë në mbledhjen konstitutive:

“Por duam të theksojmë se krijimi i shembujve të tillë të sjelljes dhe krijimi i njëmendësie të tillë jodemokratike janë shenja të një pushteti që në mënyra të tilla arbitrare merr edhe vendime tjera më të mëdha, duke filluar prej ngritjes së pagave pa mbulesë financiare për qëllime elektorale, e deri te privatizimi i PTK-së për hesape partiake”.

a.b/NOA

KOMENTE