English

Autoriteti i Konkurrencës këshillon Bankën e Shqipërisë për shërbimet dhe tarifat

Tiranë, 17 shkurt 2011, NOA- Mbi vendimin e komisionit të Autoritetit të Konkurrencës për disa rekomandime në lidhje me transparencën dhe komisionet e aplikuara në tregun e shërbimeve bankare.

Autoriteti i Konkurrencës që nga fundi i vitit 2009 dhe gjatë vitit–2010, ka kryer një monitorim të tregut të shërbimeve bankare me qëllim vlerësimin e sjelljes së bankave të nivelit të dytë në lidhje më transparencën për klientët si dhe krahasimin e tarifave të shërbimeve bankare në Shqipëri me bankat homologe në rajon.

Metodologjia e zbatuar është e ngjashme me atë të Komisionit Evropian për monitorimin e tregut të shërbimeve bankare dhe ka si qëllim matjen e nivelit të transparencës së kushteve të punës në banka.

Monitorimi në tregun e shërbimeve bankare u ndërmor nga ana e Autoritetit të Konkurrencës për shkak të shqetësimit publik të komunitetit të biznesit dhe klientëve individë për rritjen e komisioneve të shërbimeve bankare dhe mungesën e transparencës nga ana e bankave. Transparenca e shërbimeve bankare dhe tarifave përkatëse është faktor i rëndësishëm për zgjedhjen konsumatore dhe si rrjedhojë për konkurrencën e lirë dhe efektive në tregun bankar, të cilat janë objekt i Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Raporti i Sekretariatit të Autoritetit të Konkurrencës, “Për monitorimin e tregut të shërbimeve bankare” i është paraqitur për mendim Bankës së Shqipërisë dhe Drejtorisë së Mbrojtjes së Konsumatorit pranë Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, ku është zhvilluar edhe një seancë konsultative dhe janë administruar opinionet e Bankës së Shqipërisë të datës 12.01.2011:

Nga monitorimi i kryer në tregun e shërbimeve në bankat e nivelit të dyte rezulton se;

1. Mungesa e transparencës reflektohet në mungesën e elasticitetit të kërkesës për shërbimet bankare dhe në këto kushte behët e vështirë analiza e shkallës së konkurrencës efektive midis operatorve të këtij tregu.

2. Bankat e nivelit të dytë aplikojnë kryesisht tarifa të ndryshme për të njëjtin shërbim.

3. Bankat e nivelit të dytë për disa nga shërbimet si p.sh llogaritë rrjedhëse dhe çeqet aplikojnë komisione në euro dhe jo në monedhë vendase, duke i vendosur konsumatorët përballë riskut të kursit të këmbimit.

4. Nga vlerësimi i treguesve të transparencës u konstatua se jo të gjitha bankat e nivelit të dytë kanë faqe interneti dhe si rrjedhojë nuk kanë të publikuara kushtet e punës në gjuhën shqipe. Theksojmë se megjithëse disa janë degë të bankave të huaja, për sa kohë veprojnë në territorin gjeografik të Republikës së Shqipërisë duhet ti informojnë klientët në gjuhën shqipe.

5. Në disa raste është vënë re se bankat nuk i njoftojnë klientët kur ndryshojnë kushtet e punës për kontratat e shërbimeve, në mënyrë të veçantë kur rriten komisionet e llogarive rrjedhëse apo kartave të debitit/kreditit, duke mos zbatuar në këtë mënyrë rregulloren Nr. 59, datë 29.08.2008 “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare”.

6. Nga krahasimi i tarifave të shërbimeve më bankat e rajonit, brenda të njëjtit Grup Bankar, u konstatua se bankat që operojnë në Shqipëri aplikojnë tarifa më të larta të shërbimeve bankare(si komisioni për mbyllje llogarie rrjedhëse, mirëmbajtje llogarie, kartat plastike) sesa bankat homologe ne rajon, duke vështirësuar përfitimin e këtyre shërbimeve nga klientët dhe mundësinë e ndërrimit të bankës.

Për këto arsye në bazë të nenit 24, shkronja d, nenit 28 dhe nenit 70, të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” (i ndryshuar), Komisioni i Konkurrencës, vendosi:

1. Ti rekomandojë Bankës së Shqipërisë:

a. Të përmirësojë instrumentet për të forcuar zbatimin e kuadrit ligjor dhe nënligjor për transparencën e bankave të nivelit të dytë, në mënyrë të veçantë në rastet kur bankat rrisin në mënyrë të njëanshme dhe pa njoftuar tarifat e shërbimeve për klientët.

b. Të marrë masa për rritjen e transparencës së bankave të nivelit të dytë për produktet dhe shërbimet bankare dhe financiare nëpërmjet vendosjes së detyrimit për krijimin dhe përditësimin e informacionit në faqet e internetit të bankave të nivelit të dytë në lidhje me publikimin e kushteve të punës.

Rritja e transparencës do t’ju ofronte më shumë mundësi zgjedhje klientëve duke rritur në këtë mënyrë konkurrencën midis bankave.

2. T’i rekomandojë Komisionit të Mbrojtjes Konsumatore propozimin e nismës ligjore për ngritjen e një strukture të veçantë (Ombdusman) për mbrojtjen e konsumatorëve nga abuzimet e mundshme të sistemit bankar.

Ombdusmani për klientët e bankave duhet të ngrihet si një autoritet publik në shqyrtimin e ankesave të klientëve në lidhje me produkte të ndryshme të ofruara nga bankat e nivelit të dytë.

NOA

KOMENTE