English

Baraj: Berisha vazhdon retorikën shterpë, në kushtet kur duhet një zgjidhje e re

Tiranë, 17 shkurt 2011, NOA- Deputeti socialist Besnik Baraj reagoi lidhur me deklaratat e Kryeministrit të vendit Sali Berisha.

Gjatë fjalës së tij Baraj tha se, është për të ardhur keq që Kryeministri i vendit vazhdon të përsërisë të njëjtën retorikë shterpë, që në këto 20 muaj jo vetëm nuk ka prodhuar asnjë zgjidhje, por përkundrazi, e ka thelluar çdo ditë e më shumë krizën.

“Sali Berisha vazhdon t'i konsiderojë zgjedhjet e 2009 si më të mirat. Se beson më askush. Tashmë për të gjithë shqiptarët është e qartë se zgjedhjet e 28 qershorit u vodhën e u manipuluan rëndë, madje sot, shqiptarët dinë edhe arsyet e vërteta përse zgjedhjet u vodhën”, u shpreh ai.

Më tej ai shtoi se, pushteti i Sali Berishës i vodhi zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë, ashtu me bllok në dorë, siç u pa me video hajdutërinë me sy dhe siç u dëgjua me veshë.

“Sali Berisha nuk mund të fshihet më, pasi nëse duke djegur fletët i tregoi të madhi e të vogli se është vetëm ai përgjegjësi i vjedhjes së zgjedhësve, duke mos pranuar rezolutën e parlamentit europian për komisionin hetimor i tregoi të gjithë miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë se është vetë ai armiku numër një i transparencës”, deklaroi Baraj.

Sipas tij, në kushtet në të cilat ndodhet vendi, nevojitet një zgjidhje të re për t'i rikthyer çdo shqiptari dinjitetin e vjedhur nga Sali Berisha, një zgjidhje të re që i ofron shqiptarëve punë dhe një jetesë më të mirë, një zgjidhje të re që vendos drejtësinë në vend.

Ai përsëriti edhe njëherë apelin, ndaj qytetarëve që pasditen e nesërme shqiptarët të protestojnë paqësisht por vendosmërisht, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

a.y/NOA

KOMENTE