Tiranë, 17 shkurt 2011, NOA - Ministri i Brendshëm Lulzim Basha ka përshëndetur sot përfundimin e projektit të financuar për modernizimin e shërbimit të Gjendjes Civile dhe të sistemit të adresave në Shqipëri, duke e cilësuar atë si projektin më modernizues të hedhjes në hartën dixhitale të sistemit të adresave për bashkitë dhe komunat e Shqipërisë të krahasueshëm sikundër tha ai me projektet të tilla në të gjithë kontinentin. Duke vërejtur se projekti në fjalë nisi në vitin 2007, Ministri i Brendshëm bëri me dije se projekti në fjalë ka patur një rrugëtim plot pengesa dhe sfida, duke nënvizuar se “Ka patur momente kur suksesi i plotë ose i pjesshëm i tij është vënë në pikëpyetje për shkak të bazës së ulët të të dhënave, përvojës dhe të integrimit të kësaj baze me bazat e tjera të të dhënave”. Por në këtë kontekst, Ministri Basha falenderoi këmbënguljen e partnerëve të BE-së, OSBE-së që ndihmuan me financimin dhe me ekspertizën profesionale për përfundimin e një prej fazave kryesore të modernizimit të regjistrit elektronik të adresave. “Pas gjendjes civile, pas dokumentave të sigurta të identifikimit, të letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike, kemi realizuar besoj me sukses të plotë atë pjesë të mandatit të Ministrisë së Brendshme në projektin madhor të Shqipërisë dixhitale të qeverisë, nëpërmjet përfundimit të hedhjes së të dhënave në këtë regjistër do ta quaja, jo thjesht një hartë, por regjistër elektronik të adresave të të gjithë Shqipërisë”, tha Ministri i Brendshëm. Ai theksoi se “Suksesi i këtij projekti demonstron në radhë të parë vizionin, por edhe përkushtimin e qeverisë shqiptare për një bashkëpunim të vërtetë, jo sipërfaqësor me të zgjedhurit vendorë, sepse pa këtë bashkëpunim të vërtetë, të prekshëm dhe të suksesshëm nuk do të vinim sot në përfundim të kësaj pune kaq masive”. Sipas Bashës identifikimi i adresave me emrat e vjetër vazhdoi për një kohë të gjatë prej neglizhencës dhe mungesës së vizionit. “Bashkë me “nostalgjinë” për këto referenca jemi të ndërgjegjshëm që këtej e tutje jo vetëm brezat që i kanë përdorur këto referenca por ç’është më e rëndësishmja brezat e rinj do të dinë t’i referohen vendndodhjes së tyre, vendndodhjeve të tjera siç i referohet çdo qytetar europian, me emër rruge, me numër objekti dhe se nuk do të jetë as e çuditshme, as e vështirë për të identifikuar në bisedat e njëri tjetrit vendndodhjet e ndryshme të banesave, të objekteve të tjera”, cilësoi kreu i dikasterit të Brendshëm. Duke folur për zgjedhjet e 8 majit dhe garancitë që sjellin regjistrat modernë dhe dokumentat biometrikë, Ministri i Brendshëm tha se “sa i përket Regjistrit Kombëtar të Adresave dhe atij të Gjendjes Civile dhe pajisjes së qytetarëve me karta identiteti dhe pasaporta biometrike, sot në shifrat respektive prej 2.7 milion dhe 1.6 milion, sikundër standarti tashmë i arritur dhe i konfirmuar unanimisht nga të gjithë aktorët e vendit dhe të huaj të Policisë së Shtetit, janë garancitë më të mira në përputhje të plotë me standartet europiane që Ministria e Brendshme ofron në kuadër të angazhimit të qeverisë për zgjedhjet e lira dhe të ndershme të 8 majit”. mit/NOA