Tiranë, 17 shkurt 2011, NOA – Ndërkohë që drejtësia shqiptare po përballet dita-ditës me akuza nga politika, por edhe me hetime të çështjeve tejet të rëndësishme, të cilat ende nuk janë zbardhur, Kryetarja e Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj gjatë takimit të sotëm me Ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar Fiona Mcllwham Bari me dije se “drejtësia sot përballet me probleme e vështirësi të shumta, të cilat nuk mund të kapërcehen pa strategji dhe politika të drejta e të qarta, që burojnë nga ndarja dhe pavarësia e pushteteve, nga parimi i depolitizimit të drejtësisë, dhe pa një reformë të ligjeve organike, që rregullojnë organizimin dhe funksionimin e gjyqësorit dhe të institucioneve kushtetuese”.
Në deklaratën për shtyp të Gjykatës së Lartë bëhet me dije se Kryetarja e Gjykatës së Lartë e njohu Ambasadoren britanike me të gjitha hapat që ajo ka ndërmarrë për të çuar përpara këto reforma me qëllim, që institucionet shqiptare të drejtësisë ta administrojnë drejtësinë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe efektive.
Sipas Kryetares së Gjykatës së Lartë, trupa gjyqësore funksionon pa gjyqtarë të mjaftueshëm për intervale të gjata kohore.
Zonja Beçaj tha se në kushtet e një infrastrukture, e cila nuk garanton kushtet normale të punës, sjell për pasojë edhe vonesa në shqyrtimin e çështjeve dhe pakënaqësi nga ana e publikut.
Kryetarja e Gjykatës së Lartë nënvizoi se “Për realizimin e një reforme të plotë dhe imediate, kërkohet mbështetje nga të gjithë institucionet ligjvënese dhe ekzekutivi, për të reformuar kodet proceduriale, të krijohet Kolegji Administrativ pranë Gjykatës së Lartë, të rritet numri i gjyqtarëve, vazhdimi i detyrës së gjyqtarëve deri në zëvendësimin e tyre, riemërimi i gjyqtarëve mbas mbarimit të mandatit, etj”, sqaroi Beçaj.
Ambasadorja Britanike duke folur për reformën në drejtësi tha se “çështja e reformës në drejtësi është bërë më e rëndësishme dhe urgjente se kurrë. Opinioni i BE-së në muajin nëntor parashtroi disa prioritete që lidhen drejtpërdrejt me gjyqësorin dhe, Ministria e Drejtësisë po punon mbi një strategji për t’i adresuar këto çështje”.
Zonja Mcllwham konfirmoi se Qeveria Britanike do të vazhdojë të mbështesë reformat në drejtësi dhe theksoi rëndësinë e profesionalizmit dhe pavarësisë së institucioneve.
Ambasadorja Mcllwham nënvizoi se “sfidat me të cilat përballet sot drejtësia janë të mëdha dhe vetëm profesionalizmi dhe adresimi i rasteve të evidentuara të korrupsionit do të sillte një rritje të besimit të publikut. Bashkëpunimi brenda sistemit të drejtësisë dhe ai midis institucioneve shtetërore dhe drejtësisë është thelbësor”, tha ajo, duke bërë me dije se “politika duhet të luajë rolin e saj dhe të marrë përgjegjësitë që i takojnë”.
Kryetarja e Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj u takua me ambasadoren e Mbretërisë së bashkuar Fiona Mcllwham dhe me Sir Henry Brooke, një gjykatës i lartë britanik, i cili është drejtues i një projekti që mbështet Gjykatën e Lartë dhe që financohet nga Qeveria Britanike.
Gjatë takimit, ambasadorja britanike shprehu mbështetjen e saj për vazhdimin e bashkëpunimit me institucionin e Gjykatës së Lartë, nëpërmjet projektit të drejtuar nga Lord Slynn i Fondacionit për të Drejtën Europiane të Hadlit, i cili është njëri nga projektet britanike për të mbështetur reformën e sundimit të ligjit në Shqiperi, një reformë e nevojshme për progresin e Shqipërise drejt BE-së.
Kryetarja e Gjykatës së Lartë u shpreh se shkëmbimi i eksperiencave me vende të tilla si Britania e Madhe do të ishte në të mirën e të gjithë sistemit gjyqësor në vend.
Kryetarja Beçaj tha se “Mbështjetja që kjo ambasadë ofron me anë të projektit të drejtuar nga Sir Henry Brooke, është një ndihmë konkrete për të vazhduar hapat që po ndërmerren në kuadër të reformave në sistemin e drejtësisë dhe veçanërisht në Gjykatën e Lartë. Ky program është tejet ambicioz pasi ai synon të sjellë eksperienën më të mirë të vendit tuaj dhe shteteve anëtare të BE në mënyrë që veprimtaria e funksionimit të Gjykatës së Lartë të mund te jetë sa më pranë standardeve të kërkuara europiane”, infomoi ajo.
Vetë Sir Henry Brooke, tha gjatë takimit se ekspertët nga Britania dhe BE-ja mund të këshillojnë sistemin e Drejtësisë dhe Gjykatën e Lartë mbi mënyrat se si të zgjidhin problemet e tyre, por sipas tij kjo përgjegjësi i takon gjyqësorit dhe politikanëve të vendit që të marrin vendimet e duhura.
Në vijim kryetarja e Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj theksoi se pavarësisht kritikave apo problemeve me të cilat përballet sot gjyqësori shqiptar, gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë janë të angazhuar për të përmbushur misionin e tyre në dhënien e drejtësisë duke u mbështetur tek Kushtetuta dhe Ligji për të fituar besimin e publikut.
Në përfundim të takimit, palët ranë dakort të vazhdojnë bashkëpunimin bilateral për reformën në drejtësi, një argument kyç për integrimin e Shqipërisë në BE.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, pritet që në muajin mars një grup anëtarësh të Gjykatës së Lartë të zhvillojnë një vizitë punë në Britaninë e Madhe.
mit/NOA