English

Berisha: Përparësi absolute ndihma juridike për gratë e fëmijët

Tiranë, 17 shkurt 2011, NOA- Kryeministri Berisha u ndal sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në problematikën, e cila ka të bëjë me ndihmën juridike që duhet tu ofrohet me përparësi absolute fëmijëve dhe grave të lënduara.

Kryeministri kërkoi nga ministri i Drejtësisë që zyra e cila trajton këto çështje të ketë një memorandum bashkëpunimi me komisionerin e antidiskriminimit, në mënyrë që punonjësit e kësaj zyre të marrin të gjithë mbështetjen e nevojshme për këto profile shumë të rëndësishme dhe të ndjeshme të ndihmës në shoqërinë shqiptare.

“Ata që kanë më shumë nevojë dhe që kanë më shumë vështirësi për të patur mbështetje juridike, jo nga ky institucion por privatisht dhe individualisht janë gratë dhe fëmijët. Ndaj dhe mendoj se është e domosdoshme që së bashku me komisionerët, Ministria e Drejtësisë të përpunojë një memorandum bashkëpunimi të ngushtë. Vetë komisionerja dhe zyra e saj mund të ofrojë mbështetje për personat dhe personelin që do të angazhohet me ndihmën juridike”, u shpreh kryeministri.

Ai kërkoi gjithashtu nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave që rregullorja e Këshillit të Ministrave të parashikojë që të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore të fushës së pakicave të çdo lloj natyre, për para se të bëhen vendime të kenë opinionin me shkrim të komisionerit të zyrës së antidiskriminimit.

Kreu i qeverisë theksoi se është e domosdoshme që rregullorja e Këshillit të Ministrave të përcaktojë detyrimin e shqyrtimit edhe mbi bazë gjinore të të gjitha vendimeve që kanë të bëjnë me gjinitë.

“Në mënyrë që strategjia e barazisë gjinore të mund të progresojë gjithnjë e më shumë, në ministri dhe në agjencitë e vendit, ekziston dhe duhet të ekzistojë personi përgjegjës për barazinë gjinore dhe problematikën gjinore. Ndaj dhe rregullorja duhet të përcaktojë detyrimin që të gjithë nismat ligjore duhet të vështrohen edhe në vlerësimin për secilën gjini, në mënyrë që ato në asnjë rrethane, në asnjë rast të mos mundësojnë konsolidimin e patriarkisë, një faktor ky tmerrësisht problematik dhe i trashëguar nga mijëvjeçarët”, përfundoi fjalën e tij Kryeministri Berisha.

a.y/NOA

KOMENTE