English

Berisha Thaçit: Kosova, progres domethënës

Tiranë, 17 shkurt, NOA - Kryeministri Berisha i dërgoi sot një mesazh urimi kryeministrit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi me rastin e trevjetorit të pavarësisë së Kosovës.

“Përvjetori i tretë i shpalljes së Republikës së Kosovës, shtet i pavarur e sovran më jep kënaqësinë dhe privilegjin e veçantë, që në emrin tim dhe të Qeverisë Shqiptare t’ju përcjell Juve dhe, përmes Jush, të gjithë popullit të Kosovës, përshëndetjet e mia më të ngrohta vëllazërore dhe urimet më të mira për progresin domethënës të arritur në krimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike multietnike të shtetit ligjor”, shkruan Berisha.

[media id=136 width=600 height=440]

Duke shtuar se opinioni këshillimor i GJND-së, vulosi de-jure pavarësinë e Kosovës, mbylli përfundimisht çështjen e statusit dhe integritetit të saj territorial, duke konsoliduar më tej pozitën ndërkombëtare të Kosovës të njohur tashmë nga 75 shtete.

“Kam bindjen e thellë se njohje të tjera do të pasojnë dhe Kosova do të zërë vendin e saj të merituar në familjen e Kombeve të Bashkuara”, shton Berisha.

Duke përshëndetur gjithashtu tërë popullin e Kosovës për pjekurinë e lartë të treguar për zhvillimin e rregullt, në një klimë të qetë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat ishin njëkohësisht edhe zgjedhjet e para pas pavarësisë, të organizuara tërësisht nga institucionet e Kosovës, në një kohë tepër të shkurtër.

“Në këto tre vjet, Kosova e pavarur ka dëshmuar se ka ndërtuar dhe po konsolidon institucione demokratike e funksionale në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj,pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike. Pjesëmarrja masive e komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në zgjedhjet e fundit dëshmon për bindjen e tyre, se hallet e jetës së tyre të përditshme do zgjidhen përmes angazhimit dhe përfaqësimit të tyre politik në institucionet legjitime të Kosovës.

Arritjet e deritanishme të Kosovës kanë fituar mbështetjen dhe admirimin e faktorëve ndërkombëtarë, që kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë një rol kyç, në progresin e përditshëm që shënohet në shoqërinë kosovare. Në këtë ditë feste për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, më lejoni t’Ju siguroj, edhe një herë se Qeveria Shqiptare do të jetë si gjithmonë pranë Jush, për të përballuar e kapërcyer sfidat dhe pengesat që nxjerr koha”, përfundon mesazhi i Berishës për Thaçin.

n.e/NOA

KOMENTE