Uashington, 17 janar, NOA - Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer në intervistën për agjencinë e lajmeve INA ka shprehur vlerësime negative për situatën aktuale që po mbretëron në vendet e Ballkanit.
Serwer që është edhe nënpresident i Qendrës për Novacione në Institutin Amerikan të Paqes në Uashington thekson se Shqipëria pas 21 janarit po rrezikon progresin.
Ai thotë se problemet në Maqedoni vetëm se po shtohen dhe nuk është vetëm mosanëtarësimi në NATO dhe BE. I pyetur rreth problemeve të shqiptarëve, Serwer thekson se ekzistojnë mekanizmat për zgjidhjen e këtyre çështjeve. Ai e sheh si opsion edhe bashkimin dhe bashkëveprimin e spektrit politik shqiptar në Maqedoni.
Në lidhje me Kosovën, Serwer vlerëson se këtij vendi i nevojitet një qeverisje e mirë që do të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe do të jetë në shërbim të qytetarëve. Ju jeni njohës i mirë i zhvillimeve në Ballkan. A mendoni se vendet e këtij rajoni janë duke ecur në rrugën e duhur drejt integrimit euro-atlantik?
Sa i përket integrimeve euroatlantike, disa nga vendet e Ballkanit po ecin në drejtimin dhe rrugën e duhur. Me këtë rast do të kisha veçuar Kroacinë, që ka bërë përparime dhe është në rrugën e duhur. Ndërsa, sa i përket vendeve të tjera ato janë duke ngecur. Posaçërisht Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova. Integrimet euroatlantike dhe mbërritja e këtij caku nuk nënkupton një garë. Aleanca e NATO-s dhe Bashkimi Evropian janë klube dhe për të hyrë brenda tyre, duhet të plotësohen kushtet dhe kërkesat e parapara nga këto dy organizma. Se kur do ta bëjnë këto vende aspiruese plotësimin e kushteve dhe kërkesave, gjithçka varet nga vetë ato.
Në Shqipëri po mbretëron kriza politike, pas demonstratës së dhunshme të 21 janarit dhe pas ashpërsimit të fjalorit politik. Si i vlerësoni këto zhvillime negative?
Ajo që po ndodh në Shqipëri është për t’u dënuar. Mendoj se është koha që dyja palët politike, opozita dhe maxhoranca të kuptojnë se në rast se vazhdon kjo ‘status quo’ edhe më tutje, vendi nuk mund të ecë përpara dhe nuk mund të kemi progres. Ata duhet të ulen dhe të punojnë për zgjidhjen e problemeve të tyre të cilat nuk janë më dramatike se sa në shumë vende të tjera.
Në Maqedoni gjithashtu kemi një krizë politike dhe bllokim të proceseve euroatlantike për shkak të moszgjidhjes së kontestit të emrit. Cilat mund të jenë pasojat për këtë vend?
Është e vërtetë se kemi një krizë të stërzgjatur me zvarritjen e zgjidhjes së kontestit të emrit. Pasojat që po përballet Maqedonia dhe qytetarët e saj vetëm se po shtohen. Tanimë nuk është pasoja vetëm mosanëtarësimi në NATO, por edhe mosanëtarësimi në Bashkimin Evropian. Në rast se qytetarët e Maqedonisë dëshirojnë diçka ndryshe, ata duhet të votojnë diçka tjetër.
Problemet e shqiptarëve dhe zërat për ngecjen e marrëveshjes së Ohrit janë çështje tjera problematike për Maqedoninë ?
Sa i përket Marrëveshjes së Ohrit dhe problemeve tjera të shqiptarëve, mua më duket se ekzistojnë mekanizmat për zgjidhjen e këtyre çështjeve . Këto konteste nënkuptohet se duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore në bashkëpunim dhe pjesëmarrje në institucionet e Shkupit.
Si e vlerësoni faktorin politik shqiptar në Maqedoni. A mendoni se ata duhet të bashkohen për problemet e tyre ?
Bashkimi apo bashkëveprimi i partive politike shqiptare varet kryesisht nga qëndrimet dhe vlerësimet e tyre. Vetëm ata vendosin dhe vlerësojnë se në qoftë se do të jenë të bashkuar do të mund të kishin përfituar më shumë nga kërkesat e tyre që ata duan ti realizojnë. Ata kanë punuar mirë edhe pa u unifikuar, por që nuk do të thotë se ata duhet të vazhdojnë në këtë mënyrë.
Në agjendën ballkanike në qendër të vëmendjes është edhe Kosova, ku pritet votimi i Qeverisë së re. Çfarë janë pritjet e reja në Kosovë ?
Unë mendoj se Kosova ka bërë shumë punë të mira qe nga shpallja e pavarësisë, por unë isha i zhgënjyer me zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat nuk i kanë përmbushur standardet ndërkombëtare. Kjo ishte një mundësi e humbur për Kosovën, për ti treguar arritjet e saja demokratike. Tanimë pas zgjedhjeve të parakohshme parësore është prioritet një Qeveri që do të qeverisë mirë. Qeveria e re para se gjithash duhet të angazhohet për çrrënjosjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa çështje tjetër është që qytetarëve ti jepen shërbimet që ata i presin.
Sfida tjetër për Kosovën janë bisedimet me Beogradin. Sa mendoni se do të jenë produktive këto bisedime ?
Unë nuk pres rezultate të menjëhershme, por mendoj se është e rëndësishme që ata të flasin dhe të fillojnë ti zgjidhin problemet e shumta me të cilat ballafaqohen. Unë gjithashtu mendoj se duke folur, biseduar ata de facto janë duke pranuar autoritetin e njëri-tjetrit, që është një gjë e mirë.
Por, paraprakisht ka zëra nga Beogradi për të hapur çështjen e ndryshimit të kufijve apo këmbimit të territoreve, projekte që kanë një kosto të lartë dhe me pasoja gjithpërfshirëse rajonale ...
Unë nuk e pëlqej atë, por unë nuk kam asnjë vërejtje për njerëzit të cilët bisedojnë rreth kësaj çështje. Unë mendoj se është një ide të cilës kurrë nuk do ti vijë koha, pasi që shqiptarët do të kërkojnë që Presheva të shkëmbehet me Kosovën Veriore.
Serbët nuk do të jenë të gatshëm për të bërë atë marrëveshje. Nëse ka zëra dominante për ndarje apo shkëmbim territoresh, atëherë Beogradi dhe Prishtina bashkërisht do të duhet të mendojnë se si do të mund të garantojnë që një shkëmbim territoresh nuk do të destabilizonte Maqedoninë dhe Bosnje Hercegovinën. Në rast se nuk do të mund të garantohet kjo atëherë më mirë të mos ketë shkëmbim territoresh.
Cila duhet të jetë zgjidhja më shpresëdhënëse dhe më e sigurt në planin afatgjatë për Ballkanin ?
Një përgjigje të qartë, e që të gjithë e japin në vendet e Ballkanit është se ata të gjithë i përkasin NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Por unë nuk do të thoja këtë, sepse ata i përkasin NATO-s dhe BE-së vetëm në rast se i përmbushin kriteret që ofrohen për anëtarësim. Kjo do të thotë se vendet e Ballkanit duhet të marrin një pjesë të mirë të përgjegjësisë në këtë proces eurointegrues. Unë nuk shoh se të gjitha këto vende janë duke bërë përpjekjet e nevojshme.
NOA-INA