English

Gati dosja e “21 Janarit”

Tiranë, 17 Shkurt 2011 NOA - Komisioni Hetimor Parlamentar për ngjarjet e 21 janarit zhvilloi sot mbledhjen e tij të radhës ku konkludoi se është kopsitur dosja për demonstratën e dhunshme që u pasua me katër të vrarë.

Komisioni Hetimor Parlamentar “Për hetimin e veprimtarisë së institucioneve shtetërore për zbulimin, identifikimin, përballimin, neutralizimin, pengimin dhe ndëshkimin e veprimit të organizuar kriminal për dhunimin e institucioneve dhe përmbysjen e rendit kushtetues në datën 21 janar 2011”, pritet ta bëjë publik rezultatin e dosjes gjatë fundit të këtij muaji.

Zyrtarisht, mbledhja sot dha informacionin se në lidhje me hetimin e ngjarjes së 21 janarit, komisioni është në fazën e mbledhjes së të dhënave nga të gjitha institucionet shtetërore.

Kryetari i komisionit, Eduard Halimi informoi sot anëtarët e komisionit me të gjithë provat dhe informacionet e ardhura në komisionin hetimor parlamentar lidhur me veprimtarinë e institucioneve, para, gjatë dhe pas demonstratës së dhunshme të 21 janarit si dhe pamjet filmike të ardhura nga të gjitha televizionet.

Në vijim, komisioni shqyrtoi pikën e dytë e rendit të ditës, ku anëtari i komisionit, zoti Viktor Gumi informoi në lidhje me marrjen e disa informacioneve nga Shërbimi Informativ i Shtetit, i cili është në objektin hetimor të këtij komisioni.

Konfirmohet se anëtarët e Komisionit Hetimor janë pajisur me certifikatën e sigurisë nga autoriteti i vetëm i autorizuar për lëshimin e këtij dokumenti.

Halimi tha se pas kësaj ky komision është i gatshëm të mirëpresë nga SHISH të gjithë informacionet që disponon mbi zhvillimet para gjatë dhe pas demonstratës së dhunshme të opozitës. Po ashtu Halimi tha se “seanca dëgjimore me kreun e SHISH u shty me kërkesë të tij në përmbushje të detyrimeve ligjore”. Ai siguroi në fund, se “në një nga seancat e këtij Komisioni do të thirret dhe kreu i SHISH, Bahri Shaqiri”.

e.t/NOA

KOMENTE