Prishtinë, 17 shkurt, NOA - Pas vendimit të PDK-së, e cila pranoi që lideri i AKR-së Behxhet Pacolli të jetë kandidat për president, është hapur rruga për krijimin e koalicionit qeveritar. AKR kërkon edhe disa dikastere të rëndësishme...
Z.Ibrahim, cilat janë prioritetet kryesore të AKR për futje në koalicion me PDK-në?
Pas vendimit të Këshillit drejtues të PDK-së, janë krijuar mundësitë për vazhdimin e negociatave për krijimin e koalicionit qeverisës. Kërkesa e AKR-së që t'i takojë posti i presidentit të vendit, tashmë është miratuar nga Këshilli Drejtues i PDK-së. Ditët e ardhshme do të bisedohet për ndarjen e dikastereve, por është e qartë që AKR ka qenë dhe është e përgatitur të jetë pjesë e një qeverisje. Ajo ka hartuar një program të mirë për zhvillimin ekonomik të vendit dhe ka përcaktuar prioritetet e qeverisë së ardhshme.
Cilat janë prioritetet tuaja me të cilën pretendoni të qeverisni Kosovën në mandatin e ardhshëm?
Ne kemi tri shtylla kryesore të cilat janë me prioritet. E para është zhvillimi ekonomik i vendit, duke pasur parasysh gjendjen e përgjithshme ekonomike dhe sociale në vend. Prioriteti i dytë është sundimi i ligjit dhe shteti juridik, duke pasur parasysh problemet në këtë sektor. Dhe prioriteti i tretë është anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat ndërkombëtare.
A do të thotë kjo se ju jeni të interesuar për këto ministri, pasi që përmendët zhvillimin ekonomik, sferën e diplomacisë dhe disa çështje të tjera?
Ne ende nuk kemi biseduar me partnerin e koalicionit për ndarjen e dikastereve. Por gjithsesi do të insistojmë që të kemi mundësi të drejtëpërdrejt veprimi në sektorët e zhvillimit ekonomik. Po ashtu Ministria e Punëve të Jashtme është një prej prioriteteve tona, ku mendojmë se mund të japim një kontribut të madh sikurse dhe sektori i shëndetësisë dhe sigurisë në vend.
Shumë analistë janë të mendimit se kjo qeveri për shkak të një opozite të fuqishme dhe kushteve në vend nuk do të mbijetojë më shumë se gjashtë muaj apo një vit. Cilat janë argumentet tuaja se ajo do të mbijetojë një mandat të plotë?
Çdo qeveri është kalimtare dhe nuk mund të prekudikoj se sa do të zgjatë ajo. Ne po bëjmë përpjekje që të krijohen parakushtet që ajo të përfundojë mandatin e paraparë me kushtetutë. Jo të gjitha gjërat varen nga numrat, sepse në të kaluarën kemi pasur një qeveri me mbështetjen e shumë deputetëve, e cila u tregua tërësisht joefikase. Besoj se jetëgjatësia e këtij koalicioni varet nga oferta që ofron ai. Unë besoj se Kosova ka nevojë për një koncept dhe një qeverisje tjetër dhe për zhvillim ekonomik. Jam i bindur se do të arrijë këto qëllime dhe do të kryejë mandatin e plotë.
Deutsche Welle