Tiranë, 17 shkurt 2011, NOA- Kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri pritet të dëshmojë në komisionin hetimor parlamentar të ngritur për ngjarjet e 21 janarit, javën e ardhshme.
Burime zyrtare nga ky komision, konfirmojnë për agjencinë e lajmeve NOA, se anëtarët e komisionit janë pajisur tashmë me certifikatat e sigurisë dhe nuk ka më pengesa për dëshminë e kryetarit të SHISH-it në këtë komision.
Kreu i SHISH ishte paralajmëruar se do të thirrej nga komisioni rreth dy javë më parë, dhe ka qenë pikërisht mungesa e këtyre certifikatave të sigurisë ajo që ka bërë shtyrjen kësaj seance pyetjesh.
Në këtë komision kanë dëshmuar një sërë përfaqësuesish të politikës shqiptare, duke filluar nga Kryeministri Berisha, Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, drejtues të Gardës së Republikës së Shqipërisë, Kryeprokurorja e vendit, etj.
Puna e këtij komisioni konsiston në zbardhjen e rrethanave dhe organizatorëve të demonstratës së 21 janarit, ku humbën jetën katër persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.
a.y/NOA