Uashington, 17 shkurt, NOA - Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, i ka uruar Kosovës trevjetorin e pavarësisë, duke thënë se Uashingtoni është i përkushtuar për ardhmërinë e saj.
Shtetet e Bashkuara “janë të përkushtuara për të ardhmen e juaj dhe ne jemi të nderuar të jemi miqtë e juaj dhe partnerë”, thuhet në deklaratën e zonjës Klinton.
“Ju po e vijëzoni të ardhmen e re për vendin tuaj dhe për rajonin”, tha Hillari Klinton dhe shtoi se përvjetori është “rast i përshtatshëm për liderët e zgjedhur të Kosovës, ta forcojnë përsëri përkushtimin e tyre për qeverisje të mirë dhe transparencë, që janë esenciale për përmbushjen e integrimit evro-atlantik”.
Mëtutje, zonja Klinton tha se ishte “e impresionuar me premtimet e një vendi aq të ri”, gjatë vizitës së saj në tetor të vitit të kaluar, kur ajo ishte pritur me brohoritje nga masa e njerëzve, që i valvitnin flamujt amerikanë dhe mbanin parulla të falënderimit për Shtetet e Bashkuara.
a.k.NOA