Uashington, 17 shkurt 2011, NOA – Pikërisht në ditën më të shënuar për shtetin më të ri të botës, kur Kosova feston tre-vjetorin e Mëvetësisë së saj nga Serbia të shpallur në 17 shkurt të vitit 2008, dhe kur ajo është në pritje të nisjes së bisedimeve teknike me Serbinë, 20 kongresmenë amerikanë kanë kërkuar që Serbia të mos anëtarësohet në Bashkimin Europian përpara mbylljes së bisedimeve teknike me Kosovën dhe zgjidhjes së problemeve mes Prishtinës dhe Beogradit. Kongresmenët amerikanë i kanë kërkuar përmes një letre Presidentit Amerikan Barack Obama që Shtetet e Bashkuara të luajnë një rol aktiv dhe të marrin pjesë në të gjitha fazat e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Kongresmenët amerikanë vërejnë me shqetësim se “anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Europian përpara zgjidhjes së problemeve me Kosovën do t`i mundësonte Serbisë që të bllokonte anëtarësimin e ardhshëm të Kosovës në BE”.
“Kjo do të ishte një katastrofë për Ballkanin dhe rrezikon ta kthejë Kosovën në vrimë të zezë të rajonit”, shkruajnë në letrën e tyre anëtarët e Kongresit Amerikan. Kongresmenët amerikanë mes të cilëve edhe kongresmeni Eliot Engel theksojnë më tej në letrën dërguar shefit të Shtëpisë së Bardhë se “Ne jemi të bindur se pa një prani të fuqishme amerikane kosovarët do të kenë pak ose aspak besim në proces dhe dialogu do të dështojë”.
Kongresmenët amerikanë gjithashtu shprehin besimin e palëkundur se “miqësia dhe mbështetja e SHBA-ve mbetet një pikë kritike për Kosovën, me qëllimin që ajo të zërë vendin që i takon në mesin e vendeve të Bashkimit Europian”.
mit/NOA