Tiranë, 17 shkurt 2011, NOA – Me akuzën e mashtrimit dhe përfitimit të parave në formë borxhin ndaj disa personave uniformat blu të parandalimit dhe të hetimit të krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 6 në kryeqytet kanë arrestuar në flagrancë 36-vjeçarin Julian Maksim Spahi, nga Elbasani dhe banues në Laprakë. Blutë e Tiranës finalizuan mbrëmë arrestimin e Spahit pasi në ngarkim të tij ishin depozituar katër kallzime penale nga disa shtetas, banorë në zonën e Kombinatit.
Kallëzuesit kishin deklaruar në polici se 36-vjeçari Julian Spahi në kohë të ndryshme u ka vjedhur me anë të mashtrimit një shumë të konsiderueshme parash, të cilat ua ka kërkuar në formë borxhi dhe më pas nuk ua ka kthyer më. Aktualisht efektivët e hetimit të krimit po punojnë më tej për të zbadhur të gjitha mashtrimet e kryera nga Julian Spahi.
Mandej policia i fton qytetarët të mashtruar dhe të dëmtuar, të paraqiten për të depozituar kallzimin e tyre në Komisariatin e Policisë Nr. 6 në Tiranë.
Policët e komisariatit Nr. 6 gjatë kontrollit personal i kanë gjetur Julian Spahit edhe një armë të ftohtë thikë, të cilën e mbante pa leje.
Julian Spahi do të hetohet nga Prokuroria për konsumim të veprës penale të mashtrimit.
mit/NOA