Tiranë, 17 shkurt, NOA – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka ftuar sot gjithë qytetarët që të marrin pjesë në demonstratën që do të zhvillohet nesër në orën 16:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Ai u shpreh në fjalën e tij se demonstrata është kundër vrasjeve, papunësisë, krizës ekonomike dhe asaj politike.
“Nesër në orën 4, në bulevard me këdo e për këdo që nuk e pranon më padrejtësinë për vrasjet; 4 demonstrues si në 21 janar, 26 skllevër si në Gërdec, 1 deputet para zgjedhjeve, 1 kryekomunar vetëm pak kohë më parë”, tha Rama duke i cilësuar të gjitha këto si vrasje politike.
Ai ka theksuar se opozita do të jetë në bulevard “për këdo që nuk e shtyn dot jetën e përditshme për shkak të vuajtjeve, me këto e për këdo që sot nuk përballon dot çmimet e ushqimeve”.
Ai u ndal edhe në çështjen e korrupsionit duke theksuar se nesër opozita do të jetë në demonstratën, në orën 4 në bulevard, “me këdo e për këdo që nuk e duron dot të jetë i papunë dhe të shoh sesi qeveria grabit me një dorë 1280 pasuri të këtij populli”, tha Rama.
Në deklaratën e dhënë për mediat, Rama ka uruar dhe popullin e Kosovës për festën e 3-vjetorit të Pavarësisë.
a.k/NOA