Tiranë, 17 shkurt 2011, NOA Update– “Gëzuar Pavarësinë e Kosovës dhe lavdi të gjithë atyre që dhanë jetën për çlirimin e saj. Nderim të gjithë atyre që iu përkushtuan kauzës së pavarësisë së Kosovës. Sukses të gjithë udhëheqësve politikë kosovarë në ndërtimin e një shteti modern europian për të mirën e çdo qytetari të Kosovës dhe të fëmijëve që rriten e do të rriten në Kosovën e pavarur”. E nisi kështu deklaratën e tij një ditë para demonstratës së 18 shkurtit lideri i opozitës Edi Rama, duke uruar Kosovën për tre-vjetorin e Pavarësisë së saj, që mori jetë në 17 shkurtin e 2008-ës. Por pas urimit të përzemërt për motrat e vëllezërit kosovarë, kryetari i Partisë Socialiste në konferencën e sotme për shtyp iu rikthye krizës së thellë të vendit, për kalimin e të cilës sipas zotit Rama është i domosdoshëm largimi i qeverisë kusare të kryeministrit Sali Berisha. Pikërisht për këtë Rama i bëri thirrje popullit opozitar t’i bashkohet demonstratës paqësore të opozitës që do të startojë të premten në orën 16,00 në bulevard.
“Nesër në orën 4 ne do të jemi në bulevard me këdo që dëshiron të demonstrojë paqësisht por vendosmërisht për largimin e Saliut dhe zgjedhje të reja, të lira e të ndershme. Do të jemi në bulevard për këdo që sot nuk e shtyn dot me jetën e përditshme për shkak të vuajtjeve e vështirësive të pafundme që regjimi vrastar i kusarisë shton përditë mbi kurrizin e shqiptarëve të zakonshëm”, bëri thirrje kryesocialisti Edi Rama.
Ai theksoi se “Nesër në 4 në bulevard me këdo e për këdo që sot nuk duron dot më të jetë i papunë dhe të shohë sesi qeveria grabit me një dorë 1280 pasuri të këtij populli. Të cilat janë 1280 episode si ai i videokusarisë që llahtarisi të madh e të vogël dhe duhen ndaluar me forcën e protestës popullore kundër kusarisë. Kjo kusari në pushtet s’ka parti, s’ka fe, s’ka atdhe. I grabit të gjithë njësoj, socialistët e demokratët e zakonshëm”.
Sipas Ramës të premten opozita dhe mbështetësit e saj do të demonstrojnë për këdo që nuk e njeh si të vetën qeverinë që vrau katër demonstrues dhe plagosi dhjetëra të tjerë mu në mes të Tiranës, armë që sipas Ramës, “regjimi i kusarisë i shkrepi mbi popullin për të vazhduar të vjedhë”
“Nuk u vranë socialistët, u vranë të gjithë, u vra liria dhe dinjiteti i katër shqiptarëve, prindër të papunë fëmijësh që u bënë jetimët e regjimit të kusarisë”, sqaroi Rama. Gjithashtu shefi i selisë rozë bëri me dije se të premten në bulevard do të demonstrojnë për ata nuk e pranojnë më padrejtësinë si normë dhe drejtësinë si një aspiratë të parealizueshme.
Ai risolli në vëmendje si vrasjen e katër demonstruesve në 21 janar, apo të atyre 26 të pafajshmëve që u vranë si 26 skllevër në Gërdec, apo vrasjen e deputetit socialist para zgjedhjeve të shkuara, ai dhe atë të kryekomunarit të Kukësit pak kohë më parë.
Rama nënvizoi se këta janë viktimat njerëzore të padrejtësisë që vret çdo ditë, për shkak se Shqipëria është marrë peng nga një regjim vrastar kusarësh.
“Nesër në 4 në bulevard për këdo që sot nuk i dëgjon dot më gënjeshtrat e përditshme të Saliut, i cili duhet të largohet dhe t’i hapë rrugë zgjidhjes përfundimtare të krizës duke i rikthyer përfundimisht këtij populli të drejtën që të zgjedhë lirisht qeverinë e vet dhe lirinë që të mos jetë më vartës po gjykatës i qeverisë që zgjedh”, përfundoi deklaratën e tij për mediat shefi i opozitës Edi Rama.
mit/NOA.