English

Sulmohet shkrimtari shqiptar në Suedi

Malmë, 17 Shkurt 2011 NOA/ Ramadan Seitaj - Në hyrje të ndërtesës ku banon, në Gislaved të Suedisë, është sulmuar sot fizikisht shkrimtari Hamit Gurguri.

Ai u sulmua me thikë, nga një grup për të cilët Hamiti mendon se ishin serbë. Njëri nga sulmuesit, që kishte shenjën e policisë e sulmoi me thikë.

Gjatë kacafytjës Hamiti mori plagë të lehta në faqen e djathtë dhe në sy, por pa pasoja të rënda. Sulmuesit iu drejtuan në serbisht ”republikën, nën shqiptare dhe librat e ndyta që po i shkruan kundër popullit serb”.

Rasti është lajmëruar në polici, e cila ka dalur në vendin e ngjarjes, ka mbledhur të dhënat dhe është në procedurë të zbardhjes.

Shkrimtari Hamit Gurguri, siç thekson është kërcënuar edhe shumë herë të tjera gjatë punës dhe veprimtarisë së tij në Enköping. Ato ishin kërcënime me telefon apo sharje verbale.

Por në qytetin Gislaved ai ishte sulmuar edhe me 31 tetor të vitit të kaluar. Me atë rast iu pat marrë një kompjuter i dorës, kurse rastin në fjalë policia e pati vlerësuar si plaçkitje.

Hamit Gurguri i cili jeton dhe krijon në Suedi, deri tash ka botuar tri romane në gjuhën suedeze 15 në gjuhën shqipe, dhe nga një në gjuhën kroate e serbe. Ky autor po ashtu merret edhe me përkthime nga suedishtja në shqip.

Këto sulme dhe kërcënime ai e merr seriozisht, por nuk duket i brengosur teksa flet për bashkëpunëtorin e agjencisë NOA: “Nuk e di kë e kam hidhëruar dhe pse me librat e mia, por kush i frikësohet pendës së një shkrimtari, është një i mjerë. Edhe mund të më likuidojnë por jo të më frikësojnë. Unë gati e kam të rrumbullakësuar krijimtarinë time. Me sulmin e sotëm deshtën të ma prishin atmosferën e festës së Ditës së Pavarësisë së Kosovës”, - tha Hamiti.

KOMENTE