Nga Lëvizja Vetëvendosje
Sot e tre vjet më parë në Kuvendin e Kosovës u shpall pavarësia e mbikëqyrur e vendit tonë e rekomanduar nga kryenegociatori për zgjidhjen e statusit të Kosovës, Martti Ahtisaari. Si çmim për një pavarësi të paplotë, Kosovës iu imponua Plani i tij Gjithëpërfshirës, që e zbraz sovranitetin e shtetit tonë nga brenda.
Plani i Ahtisaarit e dha dritën e gjelbër për shkëputjen e Kosovës nga Serbia si territor, por në të njëjtën kohë, ia njohu Serbisë të drejtat e saj mbi territoret e Kosovës të banuara me serbë, si dhe ia mbivendosi vendit tonë një mision të huaj qeverisës. Decentralizimi etnik që e ndan Kosovën territorialisht e institucionalisht, eksterritorialiteti i kishave e manastireve ortodokse që e serbizon kulturën tonë mesjetare si dhe e rikolonizimi i Kosovës, pra kthimi i serbëve të ikur aty ku vendos Beogradi– këto janë vetëm disa prej dëmeve që i sjell Plani i Ahtisaarit.
Një ditë pas shpalljes së pavarësisë së Ahtisaarit, Lëvizja VETËVENDOSJE! bëri të qartë qëndrimin e saj lidhur me këtë projekt nëpërmjet një komunikate shtypi, e cila mbetet aktuale sot po aq sa para tre vjetëve. E vetmja gjë pozitive nga ajo që e pasoi 17 shkurtin, ishin njohjet ndërkombëtare që iu bënë Kosovës si shtet. Nëse lexohen njohjet e 75 shteteve deri sot që iu bënë Kosovës, aty Kosova njihet si shtet me sovranitet të plotë dhe me integritet territorial. Aty nuk përmendet fare Plani i Ahtisaarit. Por, ne, qytetarët e Kosovës që jetojmë këtu, e dimë se realiteti politik i Kosovës është shumë më i varfër se këto njohje.
Kanë kaluar tre vjet që atëherë dhe, ashtu siç ka ecur puna deri sot, shqetësimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! janë legjitimuar nga realiteti. Ne brengoseshim që statusi i Kosovës, në vend që të zgjidhej përmes njohjes së të drejtës për vetëvendosje për popullin e Kosovës dhe ushtrimin e kësaj të drejteje përmes referendumit, u degradua në kompromis me Serbinë. Dhe e dinim se një situatë e tillë, ku Kosova qeverisej prej politikanësh të korruptuar e pa vullnet për sovranitet, kurse Serbia po këmbëngulte me strukturat e veta brenda Kosovës, do të çonte drejt negociatave tjera me Serbinë, të cilat po pritet të ndodhin gjatë muajve në vazhdim.
Në anën tjetër, në shumë fusha tjera të jetës shoqërore, populli i Kosovës po vazhdon ta jetojë një gjendje më të rëndë se kurrë më parë. Varfëria masive është bërë përditshmëri, kurse papunësia normalitet. Po rriten çmimet por jo edhe standardi jetësor. Po shtrenjtohet jetesa, por nuk po rritet mirëqenia. Funksionet e shkollimit kanë mbetur po ato të viteve ’90 – mirëmbajtje e shkrim-leximit, kurse shëndetësia është degraduar në agjenci ndërlidhëse për deri te ordinancat private që e rrjepin xhepin modest të qytetarit të Kosovës. Dhe sikur të mos i mjaftonte kjo gjendje ekonomike politikanëve të Kosovës, ata tash po përgatiten për shitjen e të gjithë kapaciteteve zhvillimore të Kosovës, përmes privatizimit të PTK-së e KEK-ut, drejt privatizimit të Trepçës.
Do të dëshironim shumë që të uronim për këtë gjendje, por nuk na e qet goja. Urimi ynë është ky: urojmë që populli të na japë besim, atdheu dashuri, organizimi guxim – për t’i mbledhur forcat tona intelektuale e organizative si qytetarë e shqiptarë, për ta bërë Kosovën me sovranitet, shtetin për ta zhvilluar e kombin shqiptar për ta bashkuar. Sa herë kemi uruar e festuar, këtë përpjekje e kemi pasë ne mendje e në zemër.