English

Tre vjet Pavarësi, Haxhinasto: Kosova, progres në ndërtimin e institucioneve

Tiranë, 17 shkurt 2011, NOA – Kur Kosova shteti më i ri i botës feston përvjetorin e tretë të Pavarësisë së saj, në një moment kyç për vetë vendin, kur Kosova ende është në pritje të shpalljes së qeverisë së re, nisjes së bisedimeve teknike me Beogradin, por edhe në prag të hetimeve mbi akuzat për trafik organesh të raportit të Dick Martyt, shefi i diplomacisë shqiptare Edmond Haxhinasto ka uruar udhëheqësit politikë të Kosovës për këtë festë të shënuar në kalendarin e saj historik. Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto tha se urimet më të mira ia kishte shprehur sot edhe zonjës Vlora Çitaku, e cila ndodhet në Nju Jork duke marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit.

“Ne vërejmë me shumë kënaqësi se Kosova është duke shënuar një progres të vazhdueshëm në drejtim të ndërtimit të institucioneve të saj dhe të krjimit të një shoqërie multietnike”, u shpreh në një prononcim për mediat Ministri Haxhinasto.

Shefi i diplomacisë sonë theksoi se “Në këto moment, urojmë që të krijohet sa më shpejt qeveria e dalë nga zgjedhjet e përgjithshme dhe dëshirojmë të shohim që qeveria e Kosovës të fokusohet në sfidat madhore që ka Kosova për zhvillimin e saj, për prosperitetin ekonomik por gjithashtu edhe në procesin e negociatave me Serbinë për çështje konkrete që kanë të bëjnë me interesa të qytetarëve të të dy vendeve”.

Pyetje: Zoti Ministër, dje u zhvillua në Nju Jork mbledhja e KS-t të OKB-së. Kësaj here, në fokus ishte raporti i Dik Martit, ku pati dhe përplasje mendimesh mes ministrit serb dhe ministres së Kosovës. Cili është qëndrimi juaj mbi këtë debat?

Ministri Haxhinasto: Në fakt, mbledhja e djeshme ka qenë për progresin e gjithanshëm të Kosovës. Aty është ngritur edhe çështja e Dik Martit dhe është trajtuar edhe çështja për institucionin që do të realizojë hetimet në Kosovë, në Shqipëri apo në vende të tjera. Ne mendojmë se EULEX, ka të gjithë aftësinë përkatëse që të realizojë të gjithë hetimet e nevojshme që kanë të bëjnë me pretendimet e pabaza të ngritura në raportin e Dik Martit.

Pyetje: Si e komentoni qëndrimin e Ambasadës së SHBA-së e cila i ka paralajmëruar qytetarët e saj të kenë kujdes gjatë zhvillimit të protestës së opozitës që do të zgjasë disa ditë?

Ministri Haxhinasto: Ambasada e SHBA-së është një burim i mirëinformuar kështu që duhet ta respektojmë. Dhe qytetarët amerikanë duhet ta dëgjojnë ambasadën e vendit të tyre. Faleminderit!

mit/NOA

KOMENTE