English

Uollfarth: 8 maji, partitë të bëjnë detyrën për zgjedhjet

Tiranë, 17 shkurt, NOA – Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Uollfarth u ka bërë edhe një herë apel partive politike që të përmbushin detyrat për zgjedhjeve vendore të tetë majit. Në takimin e zhvilluar sot për projektin e adresave elektronike, ambasadori ka theksuar se sistemi modern i Ministrisë së Brendshme do të përdoret edhe për zgjedhjet.

Ai tha se regjistri i gjendjes civile siguron të dhënat për kartat e reja të identitetit, të cilat ndihmojnë në përmirësimin e qasjes së publikut në shërbime publike dhe private, duke rritur sigurinë dhe besueshmërinë e transaksioneve dhe marrëdhënieve.

“Dua të kujtoj që të dhënat e siguruara nga regjistri i gjendjes civile u përdorën edhe për listat e votuesve në zgjedhjet e kaluara, siç ishin zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat sipas Raportit Përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve kishin përmirësim të dukshëm në krahasim me zgjedhje të mëparshme. Në 8 maj 2011 do të zhvillohen zgjedhjet e reja vendore. Modernizimi i regjistrit të gjendjes civile dhe sistemi i ri i adresave siguruan bazën për të pasur lista më të sakta votuesish. Ashtu si çdo nivel i administratës, edhe të gjitha partitë politike duhet të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre në përgatitjet për Ditën e Zgjedhjeve”, tha ai.

Uollfath u shpreh se “qytetarët e këtij vendi meritojnë absolutisht asgjë më pak se kaq”.

Në fjalën e tij ai është ndalur në aspektet teknike të adresave të reja duke theksuar rëndësinë që ka futja e elementëve të teknologjisë moderne.

“Një tjetër arritje është fakti që 90% e njësive të qeverisjes vendore janë pajisur me sistemin elektronik të adresave. Pjesa e mbetur prej 10% është në fazën përfundimtare.

Si rezultat, është mundësuar lidhja e 75% të popullsisë me sistemin e adresave.

Është bërë një punë e madhe, por mbetet ende shumë për të bërë. Tashmë kemi të dhënat dhe ekzistojnë mundësitë teknike për t'i dhënë çdo qytetari një adresë individuale. Tani duhet vazhduar puna për lidhjen e të dhënave të regjistrit të gjendjes civile dhe sistemin e adresave – kështu që çdo qytetar të jetë në gjendje të tregojë ku banon”, tha Uollfarth.

a.k/NOA

KOMENTE