Tiranë, 17 shkurt 2011, NOA- Në mbledhjen e sotme të Qeverisë u miratua vendimi “Për shpërblimin e pronarëve dhe për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale.”
Nëpërmjet këtij vendimi përcaktohet shpërblimi i pronarëve të ligjshëm, trojet e të cilëve janë zënë nga ndërtimet informale, të kualifikuara për legalizim.
Vlera e shpërblimit të pronarëve të ligjshëm është përcaktuar nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të pronave, duke e përllogaritur sipërfaqen që kompensohet, si truall në përputhje me metodikën dhe vlerësimin e pronës së paluajtshme që kompensohet dhe asaj që do të shërbejë për kompensim, sipas ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”.
Ky vendim përcakton shpërblimin e pronarëve të ligjshëm në qarqet e Tiranës, Elbasanit, Fierit, Beratit, Shkodrës, Gjirokastrës, Lezhës, Durrësit dhe Korçës, për sipërfaqen e tokës, me vlerë të përgjithshme rreth 1,2 miliard lekë.
a.y/NOA