Tiranë, 18 shkurt, NOA - Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot tentativa e kryetarit të Partisë Socialiste për të marrë pushtetin me dhunë i bëri një dëm të madh vendit, por edhe vet partisë socialiste.
Deklarata e Kryeministri Berisha u bë sot gjatë takimit me kryetarin e PDSH-së në Maqedoni, Menduh Thaçi, i cili gjendet për një vizitë në Tiranë.
Kryeministri Berisha e njohu Thaçi me të gjitha masat që po ndërmerr qeveria shqiptare për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe për projektet e KQZ, si organ i mandatuar në mënyrë konsensuale me ligj, për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve të 8 majit.
“Kryeministri theksoi se konsolidimi i institucionit të votës së lirë është faktor përcaktues për ndërtimin e të ardhmes së Shqipërisë dhe zgjedhjet për pushtetin vendor të 8 majit do t’i shërbejnë këtij konsolidimi dhe arritjes së standardeve më të larta. Ai u shpreh se ata, të cilët tentuan të vijnë në pushtet me dhunë, i bënë një dëm të madh vendit në tërësi, por dhe Partisë Socialiste”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Në takim u diskutuan zhvillimet në Shqipëri dhe Maqedoni, si dhe mbi proceset demokratike dhe euro-integruese të të dy vendeve.
Thaçi, nga ana e tij, shprehu vlerësimin e madh për qëndrimin e Kryeministrit Berisha, por dhe të qeverisë shqiptare në këtë situatë delikate. Ai shprehu besimin se kjo situatë do kapërcehet me mjete dhe rrugë demokratike.
a.k./NOA