English

Berisha: Reforma e inspektorateve shmang arbitraritetin ndaj biznesit

Tiranë, 18 shkurt 2011, NOA - Kryeministri Sali Berisha drejtoi sot mbledhjen e Task Forcës për Inspektoratet, e cila përmbylli një cikël të gjatë diskutimesh mbi 18 mujore për reformën e sistemit të inspektorateve, e cila parashikon reduktimin nga 36 në 11 inspektorate. Shefi i qeverisë tha se kjo reformë është e domosdoshme për të shmangur arbitraritetin e sistemit ekzistues ndaj biznesit, si dhe do të krijojë zhdërvjelltësi shumë të madhe në funksionimin e tij.

“Arbitraritet që vetëm në kohë është llogaritur se i konsumon biznesit rreth 45 ditë në vit. Së dyti, riorganizimi tërësor i sistemit të inspektorateve është bërë i domosdoshëm edhe për faktin se eficenca e tij është e pamjaftueshme dhe në kuadrin e standardeve të reja që ne duhet të vendosim një sistem i ri inspektoratesh”, tha Kryeministri.

Zoti Berisha nënvizoi se “Ligji horizontal duhet të jetë i përbashkët për të gjitha inspektoratet. Reduktimi i tyre nga 36 në 11-12 inspektorate përbën një nga risitë më madhore të sistemit të ri, gjë e cila do të krijojë edhe zhdërvjelltësi shumë të madhe në funksionalitetin e tij. Ngritja inspektoratit qendror do të varet nga Këshilli i Ministrave, me mision të caktuar, pra, jashtë kompetencave të tij për të ushtruar kontroll mbi bizneset, por në tagrin e tij të plotë për të mbikëqyrur punën e inspektorateve, për të zhvilluar, elaboruar standardet e veprimtarisë së tyre dhe mbi të gjitha, për të garantuar transparencën e veprimtarisë së tyre”, informoi shefi i ekzekutivit.

Tashmë tha kryeministri, inspektoratet në Shqipëri do të jetë e-inspektorat.

“Është e domosdoshme që sistemi inspektimit të jetë dixhital, gjurma duhet të jetë e qartë në çdo hap të secilit prej tyre. Një nga detyrat që do të ketë inspektorati qendror është vendosja e sistemit të e-inspektoratit në Shqipëri. Janë bërë diskutime edhe lidhur me statusin e inspektorëve. Statusi i inspektorëve do të jetë statusi i inspektorit tatimor”, theksoi kryeministri duke nënvizuar se nuk do të ketë një mandat të kufizuar për inspektorin.

Sipas kryeministrit kompetencat e inspektorit në planin ligjor do të jenë të njëjta me ato të tatimorëve.

Ai sqaroi se do të jenë të njëjtat kompetenca që Kodi Tatimor u njeh inspektorëve tatimorë, ato që do t’u njohë ligji inspektorëve të inspektorateve të ndryshëm.

Shefi i qeverisë siguroi se reformat është e domosdoshme që të bëhen të plota, duke theksuar se “Në një ministri tre drejtues inspektoratesh janë si tre kamberë në një derë. Mund të jetë një, mund të jetë seksion, departament, në këtë mënyrë vetëm sa e zhdërvjelltësoni dhe e vërteta është se kontrollohen më mirë”.

mit/NOA

KOMENTE