Në fakt kjo praktikë që përdor PS, është një kopje e shëmtuar e asaj çka PD dhe PS kanë ofruar rregullisht vitet e fundit, duke furnizuar pafund televizionet me pamje të përgatitura nga studio të posaçme transmetimi, me regji të kushtueshme, që ofrojnë sigurisht dhe pamjet, siç i do subjekti politik dhe jo siç mund të transmetojë një profesionist apo një vëzhgues i pavarur
Tiranë, 18 Shkurt 2011 NOA/ Ervin Tirana – Pak minuta pasi kishte nisur demonstrata e radhës së Partisë Socialiste, ku morën pjesë edhe partitë e vogla që bëjnë pjesë tek Opozita e Bashkuar, zëri në transmetimin televiziv, në mënyrë të njëkohshme u ndërpre në të gjitha televizionet shqiptare që transmetonin direkt tubimin opozitar.
Kjo ndërprerje erdhi si rezultat i një defekti të shkurtër të regjisë televizive të Partisë Socialiste.
Sepse ishte pikërisht kjo regji që furnizoi me sinjal transmetues, të gjitha televizionet që dhanë drejtpërdrejt të plotë, demonstratën e sotme.
Kamerat dhe studiot lëvizëse të televizioneve private, nuk transmetuan pamjet e tyre nga ky tubim proteste. Me orientim të PS, ata u detyruan të transmetojnë vetëm përmes sinjalit të lëshuar nga regjia televizive e PS.
Në këtë mënyrë, sikundër shumë njerëz mund ta kenë parë, në të gjitha televizionet, përjashtuar News 24, pamjet ishin të njëjta. Tv News 24, transmetoi me pamje të vetat gjatë tërë kohës që u mbajtën fjalimet.
Regjia televizive e PS, ishte kujdesur më së miri për të transmetuar live, pamjet përmes kamerave të saj dhe sinjalit audio, duke dhënë herë pas here pamje që praktikisht televizionet e tjera nuk do t’i jepnin shpesh, si dënesën e disa të afërmve të familjarëve të të ndjerëve apo edhe fluturimin e kamerave në lartësi përmbi protestuesit, duke evidentuar kështu përmes figurës me regji të kujdesshme, pamje që demonstrojnë numër sa më të madh të pranishmish.
Në fakt kjo praktikë që përdor PS, është një kopje e shëmtuar e asaj çka PD dhe PS kanë ofruar rregullisht vitet e fundit, duke furnizuar pafund televizionet me pamje të përgatitura nga studio të posaçme transmetimi, me regji të kushtueshme, që ofrojnë sigurisht dhe pamjet, siç i do subjekti politik dhe jo siç mund të transmetojë një profesionist apo një vëzhgues i pavarur.
Një praktikë të ngjashme, e ofrojnë prej pak vitesh edhe institucionet kryesore shtetërore si Parlamenti, Kryeministria, Presidenca dhe Ministria e Financave apo ajo e Jashtme e ndonjë tjetër. Për këto, deri diku është e justifikueshme dhënia e sinjalit unik për të gjitha tv, për arsye sigurie dhe vështirësie në përftimin cilësor e profesional të pamjeve.
Nga ana tjetër, edhe fushata elektorale që po vjen, të gjitha gjasat ka të përsëritet pikërisht kjo mënyrë “pune”, regjit televizive të PD dhe PS u japin pamjet direkte televizioneve dhe këto, të shumta në numër, do të vazhdojnë të transmetojnë një pamje të vetme, atë që “dhurohet” bujarisht nga partitë.
Këtu, i kemi thënë padyshim “Lamtumirë”, profesionalizmit, e pse jo, kemi nxjerrë jashtë loje ata që duhet ta bëjnë këtë punë.