English

E plotë- Fjala e Zv.Kryeministrit Edmond Haxhinasto në forumin politik “Selanik II”

Tiranë, 18 shkurt 2011, NOA- Zëvendës Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto mori pjesë sot, në forumin politik: “Selanik II- Rruga për të kapërcyer status quo-n e procesit të zgjerimit të BE-së”.

Forumi u organizua nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) në bashkëpunim me Friedrich Ebert Stiftung (FES).

Në këtë takim ishin të ftuar edhe ish Ministri i Punëve te Jashtme të Hungarisë, aktualisht Drejtor i ‘Centre for EU enlargement studies (CENS) z. Peter Balasz; Ambasadori i republikës së Hungarisë në Shqipëri, Z Sandor Molnari si dhe personalitete të tjera. Synimi i forumit ishte analizimi i situatës aktuale të procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Balkanit Perëndimor dhe rolin që mund të luajë Hungaria në kryesimin e presidencës evropiane.

Gjatë fjalës së mbajtur në këtë forum Haxhinasto tha se, në këtë forum rikthehet vëmendja tek projekti më madhor i shoqërisë shqiptare, procesi i integrimit evropian.

“Më vjen mirë, që ky forum nderohet edhe me pjesëmarrjen e një personaliteti të politikës së jashtme hungareze, Ministri Balazs, vendi i të cilit mban presidencën e rradhës së BE, dhe renditet përkrah vendeve mbështetëse të procesit integrues të Shqipërisë në BE”, deklaroi Haxhinasto.

Fjala e plotë e Zëvendës Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto:

Vitin e kaluar qytetarët shqiptarë përftuan të drejtën për të lëvizur pa viza drejt BE, si kurorëzim të ëndrrës dhe kalvarit të përpjekjeve për t’u afruar më shumë me Evropën. Vendimi unanim i Ministrave të Brendshëm të BE, ishte meritë e punës së autoriteteve shqiptare, si dhe dëshmi e qartë e perspektivës së pakthyeshme evropiane të Shqipërisë. Liberalizimi i vizave ishte elementi i fundit përmbushës i axhendës Selanik 1, që na frymëzon të gjithëve për një axhendë të re, edhe më ambicioze, që do të çojë në anëtarësimin tonë të plotë në Union.

Vëmendja jonë, si dhe e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së vazhdon të mbetet të mbetet tek procesi i integrimit evropian. Vitin e kaluar, qeveria shqiptare u angazhua maksimalisht për të plotësuar Pyetësorin e Komisionit Evropian, me synimin e marrjes së statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit. Fatkeqësisht, ne nuk arritëm të realizojmë këtë objektiv tonin për shkak të situatës politike të krijuar artificialisht nga opozita në vend.

Megjithatë, edhe pas marrjes së Opinionit, qeveria vazhdoi punën për adresimin e menjëhershëm të 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian, dhe përgatitëm një plan të detajuar pune për zbatimin e tyre. Plani do të zbatohet nga 12 Grupe pune, një për çdo prioritet, dhe përmban një ndarje të qartë të masave, detyrave, përgjegjësive për secilin aktor, me qëllim që ky proces të jetë gjithëpërfshirës, i matshëm si dhe transparent. Dokumenti tashmë i është dorëzuar edhe Komisionit të përhershëm parlamentar të Integrimit Evropian, i cili është ftuar publikisht të marrë pjesë në monitorimin e zbatimit të tij.

Nuk është ndonjë lajm i ri fakti se për shumicën e këtyre rekomandimeve duhet angazhim i drejtpërdrejtë i opozitës, veçanërisht në Parlament. Këto lidhen si me formën e organizimit, ashtu edhe me atë përmbajtësore, në kuptimin e ligjeve të rëndësishme që kërkojnë votim me shumicë të cilësuar. Ligjet janë hartuar dhe depozituar për miratim në seancë. Është e papranueshme që opozita refuzon të votojë këto ligje të rëndësishme, pa dhënë asnjë shpjegim, sikurse ndodhi me Ligjin për Gjykatën Administrative, me qëllimin e vetëm se do t’i shërbejë ndërtimit të një klime politike antagoniste, dhe një krize politike artificiale.

Një tjetër ndër 12 prioritetet kryesore është ai i reformës zgjedhore, i cili sërish kërkon angazhimin konkret dhe proaktiv të opozitës, së cilës i janë bërë oferta të pashembullta për të bërë çdo ndryshim që gjykon të arsyeshëm, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR, ta certifikojë tek organet kompetente, dhe ta sjellë për miratim.

Dëshiroj të theksoj se të gjitha ato masa që janë në përgjegjësinë direkte të Qeverisë, janë në proces zbatimi. Janë hartuar projekt-ligjet dhe strategjitë e nevojshme, përsa i përket reformës në drejtësi dhe administratës publike. Gjithashtu, ka filluar puna për hartimin e reformës për të drejtën e pronës e cila do të konsultohet gjerësisht me grupet e interesit. Ne jemi të vendosur që të vazhdojmë punën të fokusuar, me axhendë të kristalizuar, por që edhe ju si shoqëri civile dhe çdo qytetar do të ketë mundësinë të monitorojë ecurinë e këtij progresi.

Zonja dhe zotërinj,

Shqipëria është vendi që gëzon mbështetjen dhe përkrahjen më të madhe për integrimin në BE, ku sipas sondazheve të fundit, gjatë vitit 2010 mbështetja u rrit sërish në mbi 87% të popullsisë në favor të këtij procesi. Kjo është një vlerë e padiskutueshme, dhe të gjithë ne duhet të përpiqemi të ruajmë këto kuota, jo vetëm duke ushqyer ëndrrën evropiane por edhe duke e bërë më të prekshme atë.

Nuk ka dyshim se ky proces është i bazuar në meritë dhe performancë, dhe ecja jonë përpara në etapat e këtij procesi do të jetë rezultat vetëm i arritjeve tona.

I mirëpresim nismat e disa vendeve anëtare, si Takimi i Nivelit të Lartë të Sarajevës, për të rigjallëruar procesin e integrimit evropian, apo edhe propozimet për një axhendë të re më konkrete, një Selanik II. Fakti që në Opinionin e vitit të kaluar ne patëm për herë të parë renditjen e 12 prioriteteve kyç, të ngjashme me udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave, tregon se kjo qasje po gjen gjithmonë e më shumë vend dhe mbështetës në gjirin e vetë BE. Kjo na rrit optimizmin dhe njëkohësisht përgjegjësinë për të realizuar detyrat tona të shtëpisë, pa u shqetësuar për kapitalizimin politik të meritave, pasi procesi i integrimit të Shqipërisë në BE është një projekt kombëtar dhe jo qeveritar.

Duke ju falenderuar, mirëpres të dëgjoj idetë dhe mendimet tuaja, të cilat do të jenë një kontribut i rëndësishëm për punën tonë.

NOA

KOMENTE