Tiranë, 18 Shkurt 2011 NOA / Ervin Tirana – Foto update - Interpol Tirana kreu ekstradimin nga Londra e Anglisë drejt Shqipërisë të shtetasit Laurant Selami Çakollari.
Për agjencinë NOA burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit thanë se 35-vjeçari i lindur në Korçë ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 1208, datë 10 dhjetor 2003, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Kjo masë sigurie për personin që shihni në foto, erdhi për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim“ e kryer në bashkëpunim, “Armëmbajtje pa leje“ dhe “Falsifikim i dokumenteve”.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tirana me Interpol-Londrën më datë 03 dhjetor 2009, u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i Laurant Cakollarit.
Në aeroportin “Nënë Tereza“ në Rinas, i ekstraduari i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
e.t/NOA