English

Fotolajm – “Fotoja” e puçistëve pushton rrjetet sociale

Tiranë, 18 Shkurt 2011 NOA/ Ervin TiranaUpdate – Fotomontazhi që shikoni e që është emërtuar me emrin "puçistët ",po bën xhiron e rrjeteve sociale dhe po shpërndahet nëpër adresa elektronike, ndaj shumë prej jush mund ta kenë parë.

Sigurisht që nuk bëhet fjalë për një foto reale por për një montazh, në të vërtetë profesional.

Në “foto” dallohen zyrtarët dhe politikanët e njohur shqiptarë që kohët e fundit, sidomos pas demonstratës së dhunshme të 21 janarit janë etiketuar si puçistë.

Nga e majta në të djathtë gjenden portretet e modifikuara dhe të vendosura në trupa të ushtarakëve të një fotoje të njohur gjeneralësh (korrigjuar) Gjermanë.

Përkatësisht janë vendosur portretet e Gramoz Ruçit, ish ministër i Brendshëm gjatë masakrës së 2 prillit 1991 në Shkodër, prej vitesh krahu i djathtë i çdo kryetari të PS;

Sipër tij Spartak Ngjela, akuzuar se kërkonte gjakderdhje, sidomos pas deklaratës së famshme se “jo 3 por as 13 mijë nuk mjaftojnë për të larguar këtë qeveri”;

Më tej, Ina Rama, prokurorja e Përgjithshme që akuzohet nga mazhoranca se është pjesë e puçit të shtetit;

Bamir Topi, president i Republikës, akuzuar nga Berisha dhe Topalli se është pjesë e grushtit të shtetit;

Ngjitur me Topin, Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste, kryeorganizator i demonstratës së 21 janarit në emër të Opozitës së Bashkuar që thirri pjesëmarrësit pranë Kryeministrisë;

Skënder Gjinushi, i famshëm kohët e fundit për deklaratën para 21 janarit kur tha se “në Shqipëri duhet të ngjajmë të paktën me Tunizinë”, referuar faktit se ditë më parë në këtë vend ndodhën demonstrata me një numër të vdekurish, për shkak të shtrenjtimit të bukës;

Dhe i fundit gjendet Bahri Shaqiri, kryetar i Shërbimit Informativ Shtetëror, akuzuar edhe ai si bashkëpunëtor në atë që mazhoranca e quan puç për rrëzimin e qeverisë me dhunë në bashkëpunim me institucionet e shtetit.

e.t/NOA

KOMENTE