English

Kush e fal lirinë, nuk e meriton

NDIQNI FJALIMIN E PLOTE DHE NE VIDEO

Kush fal liri thelbësore për siguri të përkohshme, nuk i meriton dhe nuk mund t’i ketë, as lirinë as sigurinë

Nga Edi Rama

Në krevatin pranë Aleks Nikës së zhytur në agoni dergjej i shtrirë një polic i plagosur.

Trupat e të dy djemve të rinj i kishte sjellë në reanimacionin e Spitalit Ushtarak demonstrata e 21 janarit. Ku u vranë e plagosën, me armët e zjarrit të Gardës Republikane, shqiptarë të pafajshëm që demonstronin kundër regjimit të kusarisë. Dhe ku u gjuajtën me gurë, shqiptarë të pafajshëm nën uniformën e Policisë së Shtetit, që u keqpërdor për interesat e pushtetit. E pushtetit që në 28 qershor 2009 vodhi votat për të vjedhur Shqipërinë dhe në 21 janarin e shkuar vrau për të vazhduar të vjedhë. Për të vazhduar të vjedhë duke vrarë e plagosur me pushkë burra e djem të revoltuar në kërkim të një pune e shprese për familjen e tyre.

Për të vazhduar të vjedhë, duke u mbrojtur me burra e djem, të veshur policë për shtetin e shqiptarëve e të plagosur me gurë për pushtetin e kusarëve.

Për të vazhduar të vjedhë, në dy muajt që vijnë, 1280 pasuri të tjera të popullit, në 1280 episode të tjera si episodi i neveritshëm i videokusarisë që lemerisi shqiptarët e botën mbarë, ky regjim kusarësh vrau, plagosi, torturoi e ofendoi popullin e vet dhe turpëroi Shqipërinë në 21 janar.

Aleks Nika nuk mundi të zgjohet më.

Ai u përzu nga jeta me forcën e verbër të pushkës. Të pushkës së shkrepur nga shteti që duhet t’i kishte dhënë punë e shpresë për familjen e tij. Për familjen e tij, që njësoj si tre familje të tjera shqiptarësh të zakonshëm, sot qan mungesën e pangushëllueshme të një djali të rritur me njëmijë halle e vështirësi, të një babai jetëhumbur në rrugën e papunësisë, të një shqiptari të vrarë pse desh të nxirrte fëmijët e vet në një rrugë të ndriçuar prej diellit të së ardhmes. Të së ardhmes së marrë peng po njësoj për të gjithë shqiptarët e zakonshëm, demonstrues apo policë, socialistë apo demokratë, të papunë apo të punësuar të këtij shteti të kapur, që punon veç për pasurimin e kusarëve të pushtetit.

Demonstruesit e 21 janarit, njësoj si policët e thjeshtë, u bënë mish për të njëjtin top, topin e regjimit vrastar të kusarisë. Regjimit vrastar të atyre që vrasin e na thonë vrasës. Vjedhin e na thonë hajdutë. Gënjejnë e na thonë gënjeshtarë.

Vrasjet, vjedhjet, gënjeshtrat, që ndodhin si në një ëndërr të keqe, e cila vazhdon pambarim, dhe i marrin Shqipërisë frymën, trupin, fytyrën, janë në fakt një e keqe që s’mund të na ndahet në rrugën tonë deri kur rruga jonë të bllokohet çdo ditë prej maskave të Koalicionit të Turpit. Të Koalicionit të Turpit që lindi prej votave të vjedhura nga Saliu e të trafikuara nga Iliri. Të Koalicionit të Turpit që rri në këmbë vetëm për të vjedhur duke u rritur përditë shqiptarëve faturën e jetëzgjatjes së tij në çmimin e bukës, ujit, dritave, ilaçeve, librave të shkollës. Të Koalicionit të Turpit që nëpunësit e shtetit i trajton si robër, kurse të papunët i vret si kokëpalarë.

Polici i plagosur që dergjej shtrirë në spital pranë Aleksit, u zgjua dhe kthye në shtëpi.

Mbase është këtu, diku mes rreshtave të policëve të thjeshtë, që ne i përshëndesim sot vëllazërisht dhe u themi se beteja jonë është edhe për ju. Për dinjitetin e për mirëqenien tuaj. Për uniformën e gjithë atyre policëve të vrarë gjatë këtij tranzicioni rraskapitës në krye të detyrës.

Për një Shqipëri më të mirë, ku buka nuk hahet me lotët e varfërisë. Ku uji nuk vjen i ndotur bashkë me faturën e kripur. Ku drita nuk mungon në rrugën e diturisë së fëmijëve, në dritaren e jetës së të rinjve, në përpjekjen e përditshme të prindërve. Ku ilaçet e gjysheve e gjyshërve të fëmijëve tanë nuk kushtojnë më shumë se jeta e tyre.

Saliu i ndau shqiptarët në kokëpalarë, që duhen vrarë me pushkë a me fjalë të rënda, dhe policë, që duhen gënjyer, me lëmoshë e llafe të bukura. Ne i duam shqiptarët bashkë, të gjithë të larë pranë detit, të gjithë të ngrënë pranë sofrës, të gjithë të nxënë pranë dijes.

Mes demonstruesve të 21 janarit kishte plot policë të flakur në rrugë nga pushteti që ka kapur shtetin për të vjedhur e nënshtruar Shqipërinë.

Mes policëve në 21 janar kishte plot burra e djem që do të donin të ishin në demonstratë, për nderin e një uniforme që duhet t’i shërbejë shtetit të qytetarëve, jo pushtetit të kusarëve. Për familjen e tyre të zakonshme, që s’mbahet dot me një rrogë 3200 herë më të vogël sesa shuma që jep, në një çast të vetëm, për një firmë ministri, vetë zëvendëskryeministri i vendit të tyre. I vendit të tyre të plaçkitur e të sakatuar, nga regjimi i kusarëve që gllabëron përditë pasuritë e përbashkëta të demonstruesve e të policëve, të socialistëve e të demokratëve të zakonshëm, të të papunëve e të punësuarve të këtij shteti që ka rënë në duart më të këqija. Në duart që duan të rrëmbejnë, në vetëm dy muajt që vijnë, 1280 pasuri me të cilat mund të jetonin më mirë edhe demonstruesit edhe policët, të gjithë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi pa demokraci funksionale, pa shtet të së drejtës, pa liri të barabarta ekonomike.

Ne na ka risjellë sot këtu Shqipëria që ne duam. Shqipëria që donin katër burrat që u vranë.

Shqipëria që duan gratë dhe fëmijët e mbetur pas.

Shqipëria që donte për djalin e saj, nëna e Hekuran Dedës. Kurrë s’do t’i harroj duart e saj, të zhubravitura me rrudhat e një jete pa shumë gëzime e plot sakrifica, që hapën, duke u dridhur, një rrobë të birit të vrarë, ku nëna fatkeqe mbante portofolin e paketën e cigareve të djalit.

300 lekë në portofol dhe një cigare të mbetur në paketë, kaq trashëgoi e gjora nënë nga djali i vrarë me pushkën e regjimit të kusarisë e i rivrarë me gjuhën e shthurur të Koalicionit të Turpit. I’a quajtën kokëpalarë djalin që nëna e lindi me dashuri dhe rriti me punën e rëndë të krahëve të sakrificës për familjen. I’a quajtën bandit, të paguar 300 euro, për të përmbysur me dhunë rendin kushtetues, djalin që sytë e nënës e të babës e panë t’u përmbysej, bashkë me botën, prej një skele ku ndiqte paqësisht ngjarjen.

I’a quajtën çfarë nuk i’a quajtën, nënës e babës, djalin e kthyer prej emigrimit që çdo mëngjes, bashkë me tre vëllezërit e tjerë, merrte rrugën pa rrugë të shtëpisë së varfër në Laknas, për të kërkuar punën e çfarëdoshme të ditës e mbajtur gjallë tërë ato frymë të familjes së zbritur prej Veriut me shumë ëndrra e shpresa. Për ëndrrat e shpresat aspak të pamundura të atij djali trim malësorësh të varfër dhe të të gjithë njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, jemi edhe unë edhe ju sot në këtë betejë.

Për largimin e regjimit të kusarëve dhe hapjen e rrugës së re të ëndrrave e shpresave, për Shqipërinë e qytetarëve. E qytetarëve nga Veriu në Jugun e këtij vendi të bekuar, që Zoti e deshi të bukur, të pasur, të pastër dhe mbrapshtia e pushteteve të barbarisë ideologjike dje, e të kusarisë patologjike sot, e ka katandisur në një tokë të varfër e të përdhunuar. Një tokë e tradhtuar nga politikanët pa atdhe të këtij tranzicioni pambarim plehrash të kudondodhura; plazhesh të shpërfytyruar prej gërdisë që pasuron paligjshmërisht disa, duke varfëruar padrejtësisht të gjithë; pyjesh të sakatuar me sëpatën e pamëshirshme të kusarisë, që po rrëzon para syve tanë pemën e së ardhmes; kodrash të vandalizuara nga fabrika që bëjnë para duke mbjellë në ajër sëmundje vdekjeprurëse dhe të shqyera nga thyerësit e gurëve, që po shkatërrojnë edhe vetë Krujën e Skënderbeut; lumenjsh të rrjepur babëzisht me dhëmbët e hekurt të makinerive të korrupsionit. Të korrupsionit që po i merr frymën demokracisë. Që i ka marrë shpirtin e fytyrën drejtësisë. Që po i merr edhe grahmat e fundit ekonomisë.

Dy djemtë e rritur të Faikut, babait që s’u kthye më në shtëpinë e varfër afër Fierit, nuk dinin si ta shpjegonin pse duhet të vritej i ati, kurse pushteti që e vrau duhet të mbetet aty ku është.

I madhi është emigrant në Greqi, po këmbët nuk i bëjnë për në rrugën e kthimit andej, po për në rrugën e të atit këtej. Në rrugën e të atit ku njerëzit s’duhet të gjejnë vdekjen po zgjidhjen, thotë ai. Dhe kujton Greqinë fqinje, vendin ku një qeveri iku vetë, me dorëheqje, sepse dëgjoi zërin e revoltës qytetare. Ku një qeveri tjetër erdhi, me zgjedhje të reja, dhe për muaj me radhë ridëgjoi zërin e revoltës qytetare, po ku kurrë, askush, as në popull e as në qeveri, nuk imagjinoi se mund të nxirreshin pushkët e shtetit për të vrarë demonstrues. Demonstrues shumë më pak paqësorë sesa ata të 21 janarit në Tiranë. Në Tiranën që pa rrëzimin e diktaturës komuniste po s’pa pushkë të shtetit të hapnin zjarr mbi njeri.

Në Tiranën që pa djegien e shkatërrimin e kryeministrisë në vitin ’98 nga njerëz të armatosur deri në dhëmbë, po s’pa asnjë të vrarë me pushkë. Në Tiranën që në 21 janar kishte vetëm një arsye për të parë të vrarë. Kjo arsye nuk ishte as në fjalët e opozitës para demonstratës, as në mënyrën e organizimit të demonstratës, as në reagimin e dhunshëm të demonstruesve ndaj provokimit kriminal të atyre që hodhën ujë e bomba pa filluar demonstrata.

Kjo arsye është aty, në atë godinë, në tryezën e asaj që quhet qeveria e Shqipërisë, po që në fakt është vetëm pushteti i kusarisë. Kjo arsye është arsyeja e hajdutit të kapur në flagrancë, që bërtet kapni hajdutit, dhe pastaj vret, në panik, duke kërkuar qorrazi rrugën e shpëtimit. Rrugën e shpëtimit që kërkojnë sot Saliu, Luli, Iliri dhe ata që në atë qeveri kanë kryer vepra të rënda, krime të pashoq ekonomikë, kundër Shqipërisë e shqiptarëve, për përfitimet e tyre personale.

Janë ato përfitime të paligjshme dhe dalja në dritë e vetëm disa prej zullumeve të tyre të panumërueshme e të pafalshme, që u kanë kallur, mu në shpirt, frikën e hajdutit të zënë me presh në duar.

Frikën që u bën të shohin me sy hapur ëndrra të tmerrshme, me puçe e me përmbysje të dhunshme nga karrigia. Me lukunira njerëzore të paguara nga bashkia për të pushtuar kështjellën e qeverisë. Me çadra pushkë, stilolapsa revolver, thika me helm, që u shkrepen e u ngulen në trup teksa ata kanë mbetur vetëm. Sepse Presidenti i Republikës mbush pushkët e opozitës. Prokuroja e Përgjithshme furnizon opozitën me barut për stilolapsat pistoletë. Shefi i Shërbimit Informativ u hedh helm vdekjeprurës thikave.

Ndërsa Filip Cakulli hipnotizon popullin, duke i shfaqur pamje nga kusaritë që, ata vërtet i bëjnë, nëpër zyrat e shtetit, po i bëjnë për të çuar përpara Shqipërinë, jo siç thotë Filipi, çakalli që i ka shitur shpirtin tek opozita.

Sot ky popull u’a kërkon mbrapsht Shqipërinë. Mbrapsht me të gjitha pronat e grabitura. Mbrapsht me të gjitha koncesionet e paligjshme. Mbrapsht me të gjitha privatizimet e korruptuara.

Ky popull u’a kërkon mbrapsht kusarëve në pushtet, Shqipërinë që s’mund të bëhet oborri privat i Saliut dhe vend-hedhja e plehrave të importuara nga mafia. Shqipërinë që s’mund të rrijë edhe nën flamurin e NATO-s, edhe nën flamurin e korrupsionit të mbrojtur me zjarrin e pushkëve të Gardës Republikane. Shqipërinë që s’mund të bëhet fusha e baltës së urrejtjes, shpifjes, fyerjes, ku shqiptarët të vazhdojnë të mbeten të ndarë me thikën e një politike pabesisht të vjetër.

Mbrapsht Shqipërinë megjithë bllokun e punëve të pista, që nga zgjedhjet e vjedhura deri tek jetët e marra për të vazhduar vjedhjet.

Shqipëria s’mund të vritet më siç u vra babai i vajzës së përlotur të Ziver Veizit. Fytyra ëngjëllore e asaj vajze është fytyra e Shqipërisë së pafajshme që nuk gjen dot psenë e mundimit të vet të stërdhimbshëm. Është fytyra e bardhë e ëndrrave dhe shpresave fëminore të një vendi me diell e ujë sa askund, por të mbetur djerrë e pa frytet e tokës së vet si askund. E tokës së ndarë e rindarë, deri në vrasje e sherre që s’mbarojnë mbi Shqipëri, njësoj si lotët çurkë të vajzës së mbetur pa baba. E tokës së marrë forcërisht dikur, me dhunën e pushtetit komunist, dhe të rimarrë forcërisht sot, me kthime, kompensime, privatizime, kudo ku toka mund të pjellë aty për aty paranë e korrupsionit, për të mbetur më pas një mollë sherri e hidhërimi, gjithmonë e paarritshme për të zotin. Toka e tradhtuar e Shqipërisë që mezi mbush barkun duke blerë me borxhe nëpër lista ushqimet e tokës së komshinjve. Toka e të parëve tanë që u vranë në luftëra me pushtues që asnjëherë nuk mund t’ia bënin kodrave, pyjeve e maleve të Krujës, Tiranës, Durrësit, apo të Veriut e Jugut të Shqipërisë, atë që i kanë bërë kusarët e politikës së vjetër dhe, sidomos, ky regjim vrastar kusarie.

Toka e atdheut tonë thërret sot çdo shqiptar që nuk e do atdheun për copën që mund t’i shqyejë, po për të realizuar ëndrrat e shpresat e tij të ligjshme si çdo banor i Europës së këtij shekulli të ri. Tradhtia ndaj kësaj toke, ndaj këtij atdheu që është i yni, ndaj njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, duhet të marrë fund. Shfrytëzimi barbar i pasurive të përbashkëta të këtij populli duhet të marrë fund. Grabitja e paskrupullt e parave të shqiptarëve që padrejtësisht jetojnë në varfëri, papunësi, pafuqi materiale e kulturore, duhet të marrë fund.

Duhet të marrë fund kompromentimi i pandalshëm i të ardhmes së atyre që lindin në këtë hapësirë shqiptare në mes të Europës, të cilën e trashëgojmë prej Skënderbeut, rilindasve të kombit, Ismail Qemalit, heronjve e dëshmorëve të Luftës së Dytë Botërore dhe çdo shqiptari, të njohur e të panjohur, që vuri gjakun e djersën e vet në këtë pasuri të përbashkët të quajtur Shqipëri. Kjo pasuri na mjafton për ta mundur varfërinë, për ta zmbrapsur papunësinë, për ta rritur fuqinë blerëse e nxënëse të njerëzve tanë. Ja pse sot më shumë se kurrë na duhet një politikë e re e njerëzve, me njerëzit dhe për njerëzit.

Na duhet njëri-tjetri. Na duhet bashkimi me njëri-tjetrin, pa dallim, me të gjithë ata që e vuajnë regjimin e kusarisë dhe për të gjitha ata që nuk përfitojnë nga kusaritë e këtij regjimi. Na duhet ta kapërcejmë së bashku, me forcën e zemrës e mendjes se bashkuar në çdo çast të betejës dhe qëndrimin pranë njëri-tjetrit në çdo demonstratë, hendekun e madh që hap çdo ditë mes Shqipërisë e së ardhmes kusaria në pushtet.

Jemi sot më shumë se asnjëherë dhe më shumë se asnjëherë jemi sot e vetmja shpresë.

E vetmja shpresë për të ndalur pushtimin e varfërisë, marshimin e papunësisë, grabitjet e qeverisë. E vetmja shpresë për të ndalur padrejtësinë si pushtet antivlerash në fuqi dhe për t’i dhënë Shqipërisë një qeverisje të drejtë, duke krijuar kushtet për të pasur drejtësi. E vetmja shpresë për të ndalur goditjen e ekonomisë së familjeve të zakonshme prej barrës së padrejtë të detyrimeve fiskale, në këtë vend ku demonstruesit e policët e thjeshtë paguajnë më shumë për arkën e shtetit sesa urdhëruesit e zjarrit te hapur mbi njerëzit e pafajshëm, apo ku biznesmenët e vegjël paguajnë më shumë sesa sipërmarrësit e mëdhenj.

Ne jemi sot e vetmja shpresë për t’i hapur Shqipërisë rrugët e zëna të frymëmarrjes duke hapur çdo rrugë të konkurrencës së marrë peng nga kusarët në pushtet për shërbëtorët e klientët e tyre. Për t’i dhënë çdo shqiptari mundësinë të fitojë lekë me konkurrencë të ndershme dhe të gjejë punë falë konkurrencës së ndershme. Për t’u rikthyer familjeve shqiptare qetësinë, duke rikthyer politikën në binarët e respektit për tjetrin dhe të etikës në kryerjen e detyrës publike.

Ne jemi sot e vetmja shpresë për t’u hequr kusarëve nga duart shkollat e spitalet, abetaret e ilaçet. E vetmja shpresë për t’u hequr sipërmarrësve nga shpina kërbaçin e xhahilëve të pushtetit. E vetmja shpresë për t’u hequr gazetave e ekraneve hijen e presionit mafioz e të klientelizmit monstruoz. Për t’u dhënë shqiptarëve një shtet të ri, europian e transparent.

Ne jemi sot, këtu, në emër të kësaj shprese. Jemi të vetëdijshëm për sakrificat e mundimet e kësaj rruge, sepse e dimë mirë se çfarë është në gjendje të bëjë, për të qëndruar aty ku është, regjimi vrastar që kemi përballë. Por prandaj edhe jemi e do të jemi përballë këtij regjimi vrastar. Gjithnjë e më këmbëngulës. Paqësisht, por vendosmërisht.

Nuk kërkojmë pushtetin, po largimin e tij. Nuk duam pushtet përmes demonstratave, por do të vazhdojmë demonstratat për të larguar këtë pushtet. Nuk duam të ndërrojmë flamurin e një partie në pushtet, po duam t’i japim qytetarëve pushtetin mbi qeverinë dhe qeverisë flamurin e interesa të qytetareve. Me zgjedhje të reja, të lira dhe të ndershme. Që populli të zgjedhë atë që do, jo të sundohet nga kush nuk e do.

Saliu thotë nuk iki dhe nuk pranoj zgjedhje të reja. Kështu thonë të pazgjedhurit, nuk iki, sepse e dinë që po të bëhen zgjedhje nuk zgjidhen dot dhe nuk dinë çfarë mund t’i gjejë po nuk u zgjodhën. Por burrat e këtij soji e mbajnë fjalën aq gjatë sa ç’i mban populli ata ne kurriz.

Duhet të largohesh Sali, mos rri aty nga frika dhe as mos e shih këtë si një çështje burrërie. Burrëria në rastin e një kryeministri që sfidohet nga populli i tij për zgjedhje të reja, është të pranojë sfidën, jo t’i ikë asaj duke qëlluar me pushkë mbi popullin që i kërkon të largohet. Burrëria në rastin e një kryeministri që i kapet zëvendësi i vet duke vjedhur siç t’u kap ty, si pras në dorë, ai me të cilin ngrite Koalicionin e Turpit, është të pranojë skandalin dhe të kërkojë gjykimin e popullit me votë, jo të tallet me popullin e tërë duke i thënë, “Atë që pe nuk e pe atë që dëgjove nuk e dëgjove!”. Burrëria në rastin e një kryeministri që i shpëton zjarri i frikës nga grykët e pushkëve të gardës që e ruan, është të pranojë fajin dhe të hapë rrugën për krijimin e një qeverie tjetër e për të tjera zgjedhje, duke ikur vetë në shtëpi, jo të pëlcasë siç po bën ti, mufka pas mufkash, për të hequr nga vetja atë që ti nuk e heq dot më kurrë, as nga vetja as nga faqet e historisë: Njollën e të qenit edhe jetëmarrës i popullit që i vodhe votën e pasurinë.

Por burrërinë në fjalë e kanë kryeministrat që zgjidhen nga populli i tyre, jo ti, që prej 28 qershorit 2009 nuk je kryeministri i këtij vendi, po i pari i një regjimi kusarësh që po bie nga pesha e mëkateve të veta. Qeveria jote ka rënë në 28 qershor 2009, rri në këmbë vetëm regjimi. Të cilin ti e ngrite me vota të vjedhura e të trafikuara dhe sot e mban ngritur me pushkët e frikës që të ka pushtuar çdo qelizë.

Uli pushkët e asaj frike shpartalluese që po të mbyt Sali. Ato mund të vrasin të tjerë njerëz të pafajshëm, po nuk e shpëtojnë dot pushtetin e fajeve të tua ndaj këtij populli. Të mbajturit e këtij pushteti me pahirin e gardës, që të ruan nga hija e frikës sate edhe kur del në foltoren e parlamentit, vetëm shton peshën e vuajtjeve të njerëzve po dhe të fajeve të tua po ashtu, ndërkohë që askush nuk të beson më. Nuk të beson më as edhe vetë Luli, që të rri pas si zgjatim i frikës tënde. As edhe vetë Iliri që nuk të ndahet nga këpuca prej po asaj frike. As edhe jo e jo Fatosi, i cili me të drejtë, priste të ishe pak më dinjitoz sesa lecka që je katandisur, duke u varur i tëri në telin e atyre horrave analfabetë që rrahën si kafshë qytetarët në 21 janar apo që thurrin plane vrasjesh e keqbërjesh ndaj kundërshtarëve të tu politikë.

Nuk të shpëton dot prej asaj frike që të ka bërë armik të betuar me Presidentin e vendit tënd - e ke zgjedhur vetë -, me Prokuroren e Përgjithshme - e ke zgjedhur vetë -, me Drejtorin e Shërbimit Informativ apo me këdo që të duket ty si puçist, pak a shumë gjithë Shqipëria, as manipulimi me shqetësimin e miqve e partnerëve tanë ndërkombëtarë për krizën që e ke shkaktuar po ti vetë.

Gënjen veten dhe njerëzit, përditë, kur thua se bota të mbështet ty, se Amerika të do ty, se Europa të ka ty. Ndërkohë që bota demokratike, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, mbështesin Shqipërinë, duan që shqiptarët të bëjnë përpara, kanë një vështrim te shqetësuar mbi punët e këtij vendi, si miq e si partnerë ndërkombëtarë, jo si palë.

Të luash me ndërkombëtarët, me shqetësimet e me deklaratat e tyre, për të gënjyer popullin tënd duke thënë ata janë me qeverinë e me ty, aq më tepër në këto kushte kur janë vrarë katër qytetarë me pushkët e pushtetit tënd, do të thotë thjesht një arsye më shumë pse ti duhet të largohesh. Si i padenjë për ta përfaqësuar këtë vend e këtë popull në sytë e botës demokratike.

Shihe Sali popullin tënd, këtu në bulevard, në tërë Shqipërinë a matanë kufijve të Shqipërisë. Në emër të atyre parimeve e vlerave që e shtynë në rrugën e demokracisë njëzet vjet më parë duke ëndërruar Amerikën e Europën, kundër tiranisë së Enver Hoxhës, ky popull është përsëri në rrugë, kundër regjimit tënd vrastar të kusarisë. Dhe, pa asnjë dyshim, do të vazhdojë në rrugën e demonstratave, deri kur të ketë rifituar të lirinë e të drejtën për të zgjedhur qeverinë që do, me zgjedhje të reja, të lira e të ndershme.

Këtë demonstratë të madhe dëshiroj ta mbyll duke ju dedikuar të gjithë ju e të gjithë atyre që sot janë shpirtërisht me ne këtu, fjalët e njërit prej shkruesve të Deklaratës së Pavarësisë së Amerikës:

Kush fal liri thelbësore për siguri të përkohshme, nuk i meriton dhe nuk mund t’i ketë, as lirinë as sigurinë.

* Fjala e plotë e Kryetarit të PS në demonstratën e 18 shkurtit

NDIQNI FJALIMIN E PLOTE DHE NE VIDEO

pjesa e pare

[media id=143 width=600 height=440]

pjesa e dyte

[media id=144 width=600 height=440]

pjesa e trete

[media id=145 width=600 height=440]

pjesa e katert

[media id=146 width=600 height=440]

KOMENTE