English

Noka: “Shoqja” e bulevardit nuk do shpëtojë nga përballja me ligjin

Tiranë, 18 shkurt 2011, NOA- Pasditen e sotme deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka, lëshoi një varg akuzash lidhur me të implikuarit e demonstratës së 21 janarit.

Sipas tij, rreth një muaj pas grushtit të dështuar të shtetit, për asnjë nga organizatorët e dhunës së armatosur të 21 janarit nuk është hapur çështje penale, ndërkohë që sipas tij, kur publiku pret me padurim që përgjegjësit të vihen përballë drejtësisë.

“Kjo është dëshmia më e rëndë e implikimit politik të “shoqes” së Bulevardit, që drejton institucionin e akuzës, për të mos e zbardhur ngjarjen dhe për t’i bllokuar dhe devijuar hetimet. Ky pozicionim i pastër dhe antikushtetues i prokurores së Përgjithshme është në të njëjtën linjë me deklaratat dhe me sjelljen politike të kryetarit të Partisë Socialiste, Edvin Kristaq Rama”, deklaroi Noka.

Ai theksoi se përjashtimi nga hetimi i atyre, që organizuan dhe udhëhoqën grushtin e shtetit, shkon paralel me rrjedhjen e përditshme të informacioneve nga institucioni i akuzës, dhe kjo ka për qëllim sabotimin e çështjes.

Noka tha se, mbrojtësit e institucioneve janë akuzuar pothuajse gjithmonë, pa kryer asnjë hetim dhe pa pasur asnjë provë, ndërsa sipas tij, atyre që organizuan dhunën e pashembullt të 21 janarit deri tani nuk u është prekur asnjë qime floku.

“Disponohen të gjitha të dhënat, se edhe kur ndonjëri prej atyre jokryesorëve është thirrur formalisht në prokurori, në mëngjes gjoja ka dëshmuar, ndërsa në drekë është ulur për të ngrënë bashkë me prokurorin”, deklaroi deputeti demokrat.

Noka e cilësoi këtë qëndrim të organit të akuzës si një akt të papërgjegjshëm kundër interesave të qytetarëve shqiptarë dhe një kërcënim i hapur për paqen dhe sigurinë në vend.

Në emër të maxhorancës ai vijoi duke thënë se, maxhoranca legjitime, që qeveris vendin, i ka të gjitha mjetet dhe instrumentet për t’i dhënë përgjigjen e merituar çdo puçisti, por ajo në radhë të parë beson se është detyra e çdo institucioni që të marrë përgjegjësitë e veta.

“Megjithë përpjekjet e tyre, as “shoqja” e Bulevardit dhe askush tjetër, që do të marrë përsipër të ndihmojë organizatorët e grushtit të shtetit, nuk do të mundet që t’i shpëtojë ata nga përballja me rreptësinë e ligjit’, përfundoi Noka.

a.y/NOA

KOMENTE