Auckland, 18 shkurt, NOA/ Nga Sabit Abdyli - Në qytetin e Aucklandit shqiptaro-zelandezët, festuan bashkërisht 3-vjetorin e shpalljes së Kosovës shtet.
Për ketë ditë të madhe gëzimi, në ishullin e largët përtej oqeaneve u organizua një konkurs i diturisë me moderator Qemajl Muratin nga fusha e historisë e kulturës shqiptare, zelandeze dhe botërore.
Konkursi, i moderuar bukur teknikisht dhe përmbajtësish, zgjoi interesim te manifestuesit.
Ekipet garuese “Shqiponjat”, “Legjenda” dhe “Ilirët” treguan dije solide. Moderatori kish formuluar pyetje edhe për publikun në sallë dhe të gjithë ata që përgjigjeshin saktë në pyetje shpërbleheshin me nga një dhuratë të vogël.
Të tubuarit nën tingujt e muzikës së bukur shqipe dhe ushqimeve tradicionale tonat darkuan së bashku, uruan njëri-tjetrin për festën dhe shprehën shpresën për njohje të reja të shtetit të Kosovës dhe për ditë edhe më të mira për kombin shqiptar gjithandej ku jeton.
Me ketë rast, kryetari i Lidhjes qytetare të shqiptarëve në Zelandë të Re, Ali Hoxha foli për rëndësinë e shpalljes së Pavarësisë, të arriturat e popullit tonë në ketë fillim shekulli, luftërat, qëndresën dhe sakrificat për çlirimin kombëtar.
Salla plot e përplot me shqiptarë të të gjitha moshave të veshur bukur, ambienti i stolisur me flamuj kombëtar shqiptar, shtetëror dhe zelandez frymonte shqip, vetëm shqip. Kënga e hareja vazhdoi deri mbas mesit të natës.
s.a/n.e/NOA