Shkup, 18 shkurt, NOA - Akademik Aleksandër Stipçeviq, arkeolog, ilirolog e ballkanolog i mirënjohur, në një intervistë ekskluzive për agjencinë e lajmeve INA ndër të tjera flet edhe për incidentin e së dielës në Kalanë e Shkupit.
I pyetur konkretisht për ndërtimin e objektit kishtar në Kala, për atë se si duhet mbrojtur ky lokalitet, ku janë lokalizuar vendndodhje dhe prova të kulturës së hershme materiale ilire, ai është shprehur se lokaliteti arkeologjik në fjalë medoemos duhet mbrojtur.
“Kjo është një storje e ngatërruar dhe secili rast është i veçantë. Nëse gjatë ndërtimit të diçkaje, haset në lokalitet arkeologjik, së paku tek ne, e ashtu është në tërë Evropën dhe mbarë botën, ai që drejton punimet, menjëherë ndërpret punimet dhe fton arkeologët dhe në llogari të vet, me mjetet e veta duhet ti paguajë arkeologët që të hulumtojnë atë lokalitet. Mirëpo, sipas tij kjo ka të bëjë se për çfarë lokaliteti bëhet fjalë dhe për çfarë gjetje.
“Unë kam parë në Bolonja, një rast shumë interesant. Në sheshin kryesor në Bolonja, kanë rrëmuar për të ndërtuar një pasazhë (kalim) nëntokësor dhe kanë hasur në një mur të vjetër. Atëherë janë gjetur në gjendje të palakmueshme, se a duhet ta shkatërrojnë atë apo jo. Mirëpo, ekzistojnë ligje që ndalojnë shkatërrimin e murit mjaft mirë të ruajtur dhe ata kanë gjetur zgjidhjen. Është arritur në përfundim që ai lokalitet, ai mur, të mbulohet me një xham të trashë, nëpër të cilin edhe mund të ecet. Ata aq mirë e kanë ruajtur, sa që të gjithë ata që kalojnë atypari, nëpër këtë monument- e shohin murin e lashtë, por nuk mund ta dëmtojnë”, thotë Stipceviq.
Ai ka folur edhe për rastin në kishën e Shën Pjetrit në Romë. Kur e kanë ndërtuar këtë kishë të madhe, katedralen e Shën Pjetrit, ata kanë hasë në monumente më të vjetra, sepse në Romë, kudo që të rrëmoni, do të hasni në monumente të vjetra romake bile edhe etologjike, që janë edhe më të vjetra. Ata, për ta ruajtur këtë, e kanë bërë një ambient përpara kishës dhe nëse dëshironi me e pa atë, duhet të hyni në nëntokë, që të shihni gjetjet e tilla arkeologjike.
Me fjalë të tjera, thotë Stipçeviq, nëse ajo është me vlerë, që duhet ruajtur, atëherë duhet vepruar në atë mënyrë që ato fonde arkeologjike të mbulohet me xham, që të ruhen ato elemente arkeologjike dhe të mbulohen me një xham të trashë e mbi të, mund të ndërtohet nëse duan edhe pallate prej 100 kateve.
“Kjo duhet ruajtur, sepse ajo që shkatërrohet njëherë, kurrë më nuk mund të riparohet dhe asnjë fotografi nuk mund të paraqesë atë që është me vlerë. Në rend të parë ne nuk dimë se çfarë do të mundësojë teknologjia e re, në hulumtimet që do të bëhen në objekte të tilla, prandaj duhet ruajtur dhe duhet lënë ardhmërisë që të hulumtohen ashtu si mund të hulumtohen. Ne sot dimë se një sërë të dhënash merren nga shtresat dhe shtresimet nëse janë të ruajtura, si ato parahistorike, historike etj”, shprehet Stipçeviq.
NOA-INA