Tiranë, 18 shkurt, NOA – Grupimi “Dhjetor ‘90”, ka reaguar sot për situatën politike në vend, duke i cilësuar të papranueshme qëndrimet e opozitës. Në përkujim të 20-vjetorit të rrëzimit të komunizmit dhe grevës së studentëve, në një deklaratë për mediat Grupimi “Dhjetor ‘90”, vlerëson se opozita nuk mund ta quaj Shqipërinë një shtet të dështuar.
“Grupimi “Dhjetor ‘90” u thotë stop marshimeve të revolucionarëve të kuq që linçojnë këdo që nuk mendon si ata : Me dhunë nuk arrihet askund. Zgjedhjet e lira janë mjeti për të promovuar forcat politike dhe liderat e tyre, sundimi i ligjit dhe barazia e të gjithëve para tij, janë garancitë e ndëshkimit të politikanëve të korruptuar, majtas apo djathtas qofshin”, thuhet në deklaratën e bërë nga kreu i Grupimit, Bislim Ahmetaj.
Në deklarata theksohet se është zëri i arsyes së shumicës së qytetarëve të këtij vendi, si dhe miqve tanë amerikanë dhe europianë që duhet të dëgjohet.
“Dhe kjo gjë duhet të ndodhë sot, jo nesër! E përsëris sot, pasi çdo dite që largohemi prej zërit të arsyes rrisim humnerën ku mund të gjendemi nesër. Politikanë të mëdhenj janë ata që bëjnë marrëveshje të mëdha në favor të qytetarëve dhe vendit të tyre”, thuhet në deklaratë.
Më tej Ahmetaj është ndalur edhe në qëndimet që kanë mbajtur ndërkombëtarët dhe kryesisht SHBA-të për situatën e krijuar.
“Ne ndajmë të njëjtin opinion me Shtetet e Bashkuara të Amerikës: Shqipëria nuk është shtet i dështuar, institucionet e saj funksionojnë dhe ne kemi besim tek ato. Ato as nuk mund të rrëzohen me dhunë, as nuk mund të shkurajohen me akuza. Sot pas 20 vjetësh, institucionet e këtij vendi, edhe pse jo të përsosura, janë dhe duhet të jenë të vetmet që duhet të japin përgjigje, që duhet të mbajnë përgjegjësi”, tha Ahmetaj.
Deklarata e Bislim Ahmataj është bërë në kuadër edhe të përgatitjeve për 20-vjetorin e rrëzimit të komunizmit.
“Jemi sot para jush, për të nderuar vendimin e qindra djemve e vajzave studente, pedagoge e punonjës shkencorë, të cilët 20 vjet më parë, vendosën të sakrifikonin edhe jetën në grevën e parë legale të urisë, që shoqëria shqiptare të dekomunistizohej, që emri, monumentet dhe simbolet e tjera që mishëronin diktaturën të çrrenjoseshin nga Universiteti, nga sheshet dhe rrugët e Shqipërisë. Nderim për ata që hynë në grevën e urisë, nderim e respekt për qytetarët e Shqipërisë që na mbështetën, për ata që me vendosmërinë e tyre rrëzuan e hoqën zvarrë monumentet përçudnuese të diktatorit, duke thyer rezistencën e regjimit”, tha Ahmetaj.
Ndërkohë që qëndrimet e PS-së, Ahmetaj i ka cilësuar si rikthim i së kaluarës. “Ne jemi sot dëshmitarë të përpjekjeve për të revizionuar të kaluarën. Gjithë tensionimi, dhuna dhe përpjekjet antikushtetuese që ndërmerren sot nga një grup i vogël në krye të opozitës kanë si synim ndër të tjera edhe ringritjen e fantazmës së diktatorit dhe diktaturës. Ky është misioni i tyre. Ndërsa i yni dhe i shumicës së shqiptarëve është demokracia, forcimi i shtetit të së drejtës, lirive dhe të drejtave njerëzore”, tha Ahmetaj.
a.k/NOA