English

Vasili prezanton skemën për mbrojtjen nga HIV

Tiranë, 18 shkurt, NOA - Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili e ka cilësuar si një hap të rëndësishëm miratimin nga Këshilli i Ministrave të vendimit për forcimin e masave për parandalimin e virusit HIV. Në një deklaratë për mediat, Vasili u shpreh se ky vendim i ri ndihmon në plotësimin e kuadrit ligjor për parandalimin dhe kontrollin e infeksionit HIV. Ai shtoi se vendimi synon parandalon infektimin dhe marrjen e masave në mjaft institucionet.

Objekt i këtij projekt vendimi janë institucionet e arsimit, riedukimit, institucionet e trajtimit mjekësor, institucionet rezidenciale të përkujdesit shoqëror, burgjet dhe vendet e paraburgimit të cilat paraqesin veçori specifike, ndaj mënyrat dhe rregullat e parandalimit të infeksionit HIV janë përcaktuar qartë për secilin institucion.

Në mënyrë të veçantë theksohet krijimi i një mjedisi të sigurt dhe institucional nëpërmjet zbatimit të masave universale për parandalimin e infeksoinit HIV, hartimin dhe zbatimin e programeve të informimit dhe edukimit, ofrimit të shërbimeve të këshillimit dhe testimit vullnetar, si dhe ofrimit të kujdesit e mjekimit tek personat që jetojnë me HIV/AIDS.

Ky vendim ka për synim fuqizimin e masave parandaluese dhe të kujdesit nëpërmjet programeve specifike në institucionet e arsimit, riedukimit, institucionet e trajtimit mjekësor, institucionet rezidenciale të përkujdesit shoqëror, burgjet dhe vendet e paraburgimit, evitimin e stigmës dhe diskriminimit, nxitjen e shërbimeve të këshillimit vullnetar dhe konfidencial si dhe mbështetjen me shërbime të tjera shëndetësore, të personave që jetojnë me HIV/AIDS në këto institucione.

Projekt vendimi është i ndarë në disa pjesë.

Në pjesën e parë paraqiten parimet e përgjithshme, të cilat theksojnë barazinë në ofrimin e shërbimeve parandaluese dhe të kujdesit, mbrojtjen e informacionit dhe evitimin diskriminimit.

Në pjesën e dytë parashikohen masat për parandalimin dhe kontrollin e HIV/AIDS-it në institucionet shkollore, duke i vënë theksin ofrimit të informacionit dhe edukimit të përshtatshëm, që në përputhje me moshën duhet të jetë pjesë e kurrikulave shkollore; sigurimit të trajtimit të përshtatshëm mjekësor për infeksionet seksualisht të transmetueshme, krijimit të një mjedisi institucional të sigurt nëpërmjet aplikimit të masave lidhur me ndihmën e parë, si dhe inkurajimin e nxënësve/studentëve për të përdorur kujdesin shëndetësor, këshillimin dhe shërbimet e mbështetjes të ofruara në komunitet nga strukturat shtetërore, organizatat, etj.

Pjesa e tretë parashikon masat në parandalimin dhe kontrollin e HIV/AIDS-it në burgje dhe institucionet e paraburgimit. Këto masa konsistojnë në ofrimin e shërbimeve të këshillimit dhe testimit vullnetar, trajnimeve të vazhdueshme, fushatave të ndërgjegjësimit dhe edukimit, jo vetëm me të burgosurit/të paraburgosurit, por gjithashtu dhe me partnerët, të afërmit e tyre, personelin shëndetësor, të shërbimeve sociale si dhe me personelin e sigurisë në burgje/vendet e paraburgimit.

Hartimi i manualeve të trajnimit / kurrikulave me personelin e shërbimit shëndetësor dhe social në burgje, si dhe aksesi ndaj kondomëve, parashikohen në këtë pjesë. Të burgosurve /paraburgosurve që kanë varësi nga drogat u ofrohen shërbimet e terapisë zëvendësuese me metadon ose terapi të tjera të miratuara nga strukturat përkatëse të Ministrise së Shëndetësisë. Kjo terapi aktualisht zbatohet në disa burgje dhe ndihmon në reduktimin e dëmit të shkaktuar nga injektimi i drogave, duke parandaluar në këtë mënyrë dhe transmetimin e infeksionit HIV. Terapia me antiretroviralë për personat që jetojnë me HIV/AIDS, sigurohet nga institucionet shëndetësore në burgje/vendet e paraburgimit në bashkëpunim me Shërbimin e Sëmundjeve Infektive pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Pjesa e katërt parashikon masa parandaluese dhe të kujdesit në institucionet e përkujdesit social duke theksuar marrjen e masave për eliminimin e rrezikut të përhapjes së sëmundjeve të transmetueshme nëpërmjet gjakut, përfshirë edhe infeksionin HIV, trajnime të vazhdueshme, fushata ndërgjegjësimi dhe edukimi në parandalimin e HIV, për personat rezidentë si dhe për personelin shëndetësor në këto institucione.

Pjesa e pestë parashikon parandalimin e infeksionit HIV në institucionet shëndetësore si dhe marrjen e masave të menjëhershme dhe të përshtatshme në rast ekspozimi ndaj virusit HIV në keto institucione.

“Miratimi i kësaj rregulloreje përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e parandalimit të infektimit me virusin HIV në disa institucione të rëndësishme” ka përfunduar fjalën e tij ministri Vasili .

a.k/NOA

KOMENTE