English

Volonte: Rama i mbylli rrugët për zgjidhje

Tiranë, 18 shkurt, NOA – Kreu i opozitës nuk pranoi negociatat e KiE një vit më parë dhe qëllimisht mbylli rrugët për zgjidhje politike të krizës në Shqipëri. Ky është qëndrimi që, Luca Volonte, President i Grupit Popullor Kristian – Demokrat në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe antar i Komitetit Presidencial i kësaj Asambleje ka mbajtur sot gjatë takimit me kreun e qeverisë, Sali Berisha.

Në bisedën e zhvilluar me kreun e qeverisë, pak minuta më parë, Volonte ka vlerësuar qëndrimin konstruktiv të kryeministrit Berisha dhe të mazhorancës në përballimin dhe zgjidhjen e situatës së krijuar nga përpjekjet e dhunshme të opozitës për marrjen pa zgjedhje të pushtetit.

“Volonte vuri në dukje qëndrimin intransigjent dhe të përshkallëzuar të zotit Rama drejt krijimit të krizës që nga vizita e Komitetit Presidencial të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në fillimin e vitit 2010. Ai theksoi që ndërkohë që kryeministri Berisha i pranoi propozimet e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të KE-së, zoti Rama i kishte refuzuar në mënyrë insistuese ato, duke mbyllur qëllimisht rrugët për një zgjidhje institucionale të ngërçit të krijuar nga opozita”, njofton zyra e Kryeministrisë për takimin.

Nga ana e tij, kreu i qeverisë Sali Berisha, e siguroi Volonte për angazhimin e tij maksimal që zgjedhjet për pushtetin vendor të 8 majit të arrijnë standardet më të larta të Këshillit të Evropës dhe OSBE-së dhe duke e vlerësuar rolin e Asamblesë Parlamentare të KE-së ftoi një pjesëmarrje sa më të gjerë të kësaj Asambleje në misionin ndërkombëtar të vëzhgimit të zgjedhjeve.

Kryeministri përfaqësuesin e KiE me zhvillimet që i paraprinë përpjekjeve të liderit të opozitës më 21 janar për marrjen me dhunë të pushtetit si dhe me zhvillimet në vijim.

Berisha nënvizoi rëndësinë themelore për hetim të plotë, profesional dhe të balancuar të të gjithë përgjegjësve të 21 janarit si kusht themelor për zgjidhjen dhe normalizimin e situatës në vend.

Kryeministri Berisha mbështeti plotësisht rolin e institucioneve të pavarura në zgjidhjen e situatës por theksoi që pavarsia e këtyre institucioneve nuk është një aspekt formal por bazohet në veprimet dhe besimin që ato institucione krijojnë në zbatimin korrekt dhe të paanshëm të ligjit. Ai kryeministri vlerësoi gjithashtu rolin dhe qëndrimin korrekt të përfaqësuesve dhe organizatave ndërkombëtare dhe përpjekjet e tyre për normalizimin e situatës.

Ai gjithashtu e siguroi Volonte që mazhoranca është maksimalisht e angazhuar për respektimin e të gjitha lirive dhe të drejtave përfshirë të drejtën për tubime paqësore si dhe vendosmërinë e qeverisë për të ruajtur dhe garantuar rendin kushtetues dhe shtetin e të drejtës ndaj çdo tentative për ti dhunuar ato.

a.k/NOA

KOMENTE