English

Azem Hajdari e rrëzimi i bustit në pullë postare

Tiranë, 19 shkurt, NOA - Posta Shqiptare do të hedh në treg ditën e diel pullën për “20-vjetori i lëvizjes studentore”. Prezantimin e kësaj pulle postare para mediave e bëri sot drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare Arqile Gorea.

“Kemi prodhuar këtë pullë homazh për të gjithë atë kontribuuan në këtë lëvizje historike të kombit tonë dhe pse jo për kujtesë për të gjithë ata njerëz që nuk nxjerrin mësime nga historia. Historia duhet zhvilluar natyrshëm, çdo histori e sforcuar mbi bazë dhunën ka një përfundim siç pati dhe diktatori më 20 shkurt 1991”, tha sot Gorea.

Më tej ai shtoi; “Posta Shqiptare gjithmonë në shtratin e vet të promovimit të datave historike si gurë kilometrikë të historisë së kombit tonë emeton këtë pullë dhe duke filluar nga nesër kjo pullë do të jetë në të gjithë sportelet e Postës si kujtesë dhe si homazh”.

Sipas kreut të Postës Shqiptare të gjithë shërbimet postare do të kryhen me këtë pullë brenda dhe jashtë vendit. “Ky është vetëm një kontribut modest që Posta Shqiptare jep në kuadrin dhe të kontributeve të tjera siç kanë qenë; emetimi në pullë i “Shqipëria pa viza në Europë”, “Pavarësia e Kosovës”, Vizita në Tiranë e Xhorxh Ë.Bush, “100- vjetori i lindjes së Nënë Terezë, “Shqipëria në NATO”, pra gjithçka është në sinkron me interesat dhe historinë tonë” tha Gorea.

Në pullat postare që do të hidhen në treg bien në sy ato me pamje të rënies së bustit të diktatorit Enver Hoxha, liderit të Lëvizjes së Dhjetorit, Azem Hajdari dhe momente të veçanta nga demonstrata e studentëve 20 vite më parë.

a.k/NOA

KOMENTE