Lushnjë, 19 shkurt, NOA – Dy të rinj janë vënë në prangat e policisë ndërsa janë kapur me një sasi lënde narkotike dhe disa fishekë.
Ngjarja bëhet me dijeni nga policia e Lushnjës për agjencinë e Lajmeve NOA, duke konfirmuar se të ndaluarit janë Afrim Saraçi, 37 vjeç dhe Izet Boriçi, 49 vjeç; që të dy lindur dhe banues në Lushnjë.
Si rezultat i kontrollit të ushtruar në shtëpitë e tyre janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 13 gram lëndë narkotike e llojit heroinë, 65 fishekë të kalibrit 7.62 mm, një peshore elektronike dhe një sasi e madhe qesesh farmaceutike.
Gjate ecurisë së hetimeve, rezultoi se këta persona shpërndanin lëndë narkotike në qytetin e Lushnjës.
Materialet proceduriale do t’i kalojnë prokurorisë së Lushnjës për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, si dhe “Prodhim e mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve”, parashikuar nga neni 283/2 dhe 278/3 i Kodit Penal.
n.e/NOA