Nga Behxhet Sh. Shala
Ra kjo dekë dhe u pamë: Është një filozofi popullore e cila është dëshmuar ndër shekuj te shqiptarët të cilët, të zënë me punë të “mëdha” gjenin kohë të takoheshin vetëm në rast të ndonjë vdekjeje. Kjo vlen për situata normale. Shprehja e nëntitullit e ka një kuptim edhe në rastet kur duhet të provohet vendosmëria e dikujt, burrëria, trimëria apo gatishmëria për sakrificë! Me një fjalë, flijime për qëllime të larta! Është një provë konkrete, për situata të veçanta ! Njeriu mund të gënjejë një kohë të gjatë por mjaftojnë disa sekonda të jetës së tij dhe t’i dalin duqat, ta tregojë fytyrën e vërtetë, karakterin e vërtetë! Kësaj prove nuk mund t’i ikë askush! Së paku jo deri më sot! Përfunduan zgjedhjet në të cilat një kategori horrash, u promovua në politikanë duke shkelur mbi të gjithë skrupujt. Kërcënuan, vodhën, plaçkitën, rrahën, korruptuan, shantazhuan, lutën, u përqyrrën, u thirrën në vuajtjet personale dhe familjare gjatë mbajtjes së dënimeve të gjata me burg për shkaqe politike – patriotike dhe folklorike etj. Si xhoker përdorën apo më mirë të them e keqpërdorën luftën e fundit të UÇK-së duke u identifikuar si komandantë gjysmëlegjendar, njerëz me vlera të veçanta dhe ndërtues të paqes pasi e paskan fituar luftën! Pikërisht këta janë horrat më të mëdhenj të cilët, në emër të luftës dhe të bëmave “ heroike” gjatë saj, janë shndërruar në plaçkitës, zhvatës, kriminelë që, duke e dhunuar të sotmen, e mbajnë peng të ardhmën! Ky fakt nuk është që po e them unë i pari. E ka thënë edhe një numër i vogël më herët dhe pas zhvillimeve të fundit shpresoj se numri që ndanë këtë mendim, për mua të shndërruar në bindje, vetëm sa do të rritet. Jam i sigurt se nga ky grup edhe do të formohet një masë kritike që do të kishte ndikim në zhvillimin e proceseve politike, ekonomike, sociale, kulturore etj., në të mirë të qytetarëve të Kosovës. E bëra këtë hyrje të shkurtër për të vërtetuar se kandidati për president të Kosovës, z. Behgjet Pacolli, një pro serb, pro rus dhe në të njëjtën kohë një antikombëtar i dëshmuar, nuk do të ketë asnjë problem të votohet për postin që e ka nominuar PDK dhe Hashim Thaçi ndërsa e ka përkrahur me aklamacion Këshilli Drejtues i këtij subjekti politik. Koncensusi nënkupton një formë të aklamacionit sepse është një pajtim i përgjithshëm të pranohet apo të mos kundërshtohet një kandidat i propozuar. Habitem me disa miqtë e mi, analistë, gazetarë, politikanë, intelektual të varur dhe pavarur, të cilët shpresojnë se mashtruesi i madh, nuk do të votohet për president në Kuvendin e Kosovës. Që të jetë ironia më e madhe, të gjitha shpresat i varin te një numër i deputetëve të subjektit që dikur krenohej si tradhigimi apo vlerë politike e krahut të luftës, ish të përndjekurve politikë, patriotë të dëshmuar të inkuadruar në politikë, autoriteteve morale dhe vlerave tjera. Pikërisht këta e përkrahën Pacollin të bëhet president, andaj është e palogjikshme të votojnë kundër vetes së tyre. Këta që me asnjë kusht nuk deshën të kalojnë në opozitë, as të dehur nuk do të votonin kundër Pacollit president dhe të bëhen opozitë. Jo që nuk e kundërshtojnë Pacollin president me mosdhënien e votes së tyre por, nëse u jipet mundësia do t’i siguronin edhe nga tri vota shtesë për të siguruar vota të mjaftueshme për të birin e Majka Serbisë, që të bëhet president. Prandaj, mos u befasoni nëse Behgjet Pacolli votohet për president qysh në votimin e parë. Ta tejkalojë me vota madje edhe Ibrahim Rugovën dhe Fatmir Llapin. Për turp! Një numër i deputetëve të kriminalizuar do ta votonte edhe Sllobodan Millosheviqin për president të Kosovës vetëm që mos t’i nënshtrohen votimit për deputetë edhe një herë!” Një herë të vjen era kah dera”, thotë populli. Këtë moto e kanë përdorur dhe keqpërdorur skajshmërisht deputetë, politikanë të pozitës dhe opozitës për të mbetur apo për t’u bërë pjesë e grazhdit. Grazhdin me taxhi, këtu e tutje do t’ua mbushë Behgjet Pacoll! Pacolli ka siguruar vota edhe nga deputetët e opozitës duke i blerë ata , sikur të ishin desh apo cjepër të Rrahim Tuxharit! Në situatën e krijuar kur çdo gjë blihet dhe shitet është vështirë t’i besohet edhe atij që betohet se: “dorën do ta pres por nuk do të votoj për Pacollin e Majka Serbisë dhe Majka Rusisë për president!”. Mund t’u besohet se nuk kanë votuar për Pacollin vetëm ata deputetë që në kohën e votimit do ta lënë sallën e Kuvendit të Kosovës. Pacolli ka punuar me të madhe këto ditë duke kontaktuar të gjithë ata që do të votojnë apo ata që kanë ndikim se cilin duhet të votojnë! Vëllaçko, votat i ka siguruar! Tani po konsultohet me stilistët se me çfarë kostumi duhet të paraqitet para deputetëve të Kuvendit të Kosovës për t’u betuar si president! Dhe sa bukur do të duket! Çfarë mesazhi do t’u dërgojë qytetarëve të Kosovës që me padurim po e presin që t’u drejtohet presidenti i” Unitetit politik, kombëtar dhe shtetëror”. Papa i Vatikanit, Benedikti i XVI që ndaj statusit të Kosovës e ka të njëjtin qëndrim si Tadiqi dhe Putini, në enciklikat e tij drejtuar urbi et orbi përshëndet në shumë gjuhë të botës. A do të veprojë kështu edhe “Papa” i ardhshëm i Kosovës, që ndryshe është edhe poliglot?! Mendoj se po. Kushtetuta e Kosovës e obligon që deputetëve dhe popullit të Kosovës që aq shumë po e përkrah , t’i drejtohet së paku në gjuhët zyrtare; serbisht , shqip dhe anglisht! Besoj se betimin dhe fjalimin inaugurues do ta ketë në gjuhën serbe, ruse, gjuhë të tjera dhe në fund në gjuhën shqipe të cilën edhe ashtu e ka pikë të dobët! Sa për oratori, nuk kemi arsye fare të dyshojmë! E dha provimin te varri i Ibrahim Rugovës. Nuk qe në gjendje t’i arrnojë as dy fjalë të vetme! Mbase nga emocionet dhe përgjegjësia e madhe që po bëhet president dhe trashigimtar i Ibrahim Rugovës.
Turpi, mjerimi dhe mashtrimi: Unë nuk e kam asnjë mëdyshje se kush do të bëhet president i Kosovës. Disa ende po shpresojnë se nuk do të bëhet. Madje, as Majka Serbia nuk ka besurar se Behgjet Pacolli mund të bëhet president. Përveç stanishiqëve dhe joviqëve, në Serbi dhe Kosovë. Që kanë punuar tërë kohën për realizimin e këtij qëllimi. Madje, me përgjegjësi e them se po të luhej në bastoret e Serbisë nëse Pacolli mund të bëhet president, 99,99,99 % të serbëve do të huqnin sepse nuk do të besonin se mund të ndodhë një gjë e tillë! Shumicën e medieve Pacolli i ka blerë duke i shndërruar në prostituta informative – mediale. Disave u ka ndërtuar shtëpi, blerë vetura, i ka gostitë në hotelin e tij në Lugano apo i ka dërguar në udhëtime “ lobuese “ siç ishte rasti i fundit në Libinë e diktatorit Gadafi. Disa të tjerëve, si prostitutave u ka dhënë paratë në dorë edhe në studiot televizive, menjëherë pasi kanë mbaruar punë! Prandaj, këto medie janë shndërruar në një infrastrukturë të pamoralshem për afirmimin e një injoranti dhe mashtruesi. Këto medie të pista e kanë vendosur në vend më të merituar se vet Adem Jashari! Kuvendi i Kosovës e ka një përgjegjësi të madhe kur ta votojë projektin ruso- serb që të jetë në krye të presidencës. Është një turp jashtëzakonisht i madh dhe një mashtrim edhe më i madh! Turpi është i të gjithë neve sepse jemi bashëpjesëmarrës në këtë diversion moral dhe komnbëtar. Të gjithë jemi bërë të njëjtë. Luftëtarë, patriotë, ish të përndjekur politik, politikanë, bashkëpunëtorë të Serbisë, ish dhe udbash të tashëm, horra të të gjitha profileve dhe të gjitha ngjyrave, kriminelë dhe humanistë, intelektual dhe altruist etj. Më e mira që ka ndodhur është se të gjithë kemi dalur në lëndinë! Askush nuk mundet më të mëshehet prapa luftës së lavdishme të UÇK-së, vlerave kombëtare, sakrificave personale dhe familjare, meritokracisë, kontributit për pavarësinë dhe lirinë ! Edhe Komandanti Legjendar, i Madhi Adem Jashari u bë strehë shumë e vogël për këta që po shkojnë te varri i tij e po i tregojnë se Kosova po bëhet me një president që ka thënë: “Pa Serbinë nuk mundemi”! Pas një kohe, jo që nuk do të bëhet strehë por as hije për këta që do të votojnë dhe këta që do të zgjidhen.
Janë këtu dy mashtrime të mëdha:
se Behgjet Pacolli do t’i sjellë dobi Kosovës dhe
se bisedimet me Serbinë do t’i sjellin mirë Kosovës.
Presidenti i ardhshëm i Kosovës, Behgjet Pacolli është pikërisht i përshtatshëm për këto bisedime. Kush e ka propozuar dhe ata që e zgjedhin ia pafshin hajrin!