English

LSI: Sulmet e Edit kundër Nanos e Metës, shenjë inferioriteti

Tiranë, 19 shkurt, NOA – Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama tha sot se palet duhet të ulen në tavolinë për gjetjen e një zgjidhje politike dhe opozita duhet të heq dorë nga demonstratat dhe rruga pa identitet.

“Unë jam sot këtu, që në emër të LSI-së të ritheksoj për të disatën herë domosdoshmërinë për tu ulur në tryezën e dialogut politik, domosdoshmërinë që për hir të interesave të vendit të braktiset gjuha e imponimit dhe të kërcënimit nga rruga, dhe politikën e protestës së rrugës dhe për të shkuar tek politika e ofertës dhe e konkurrencës me alternativa dhe jo me demagogji dhe me një tirazh shpifjesh dhe akuzash që përveç Edi Ramës dhe grupit të tij të ngushtë, as nuk motivojnë dhe as nuk frymëzojnë askënd tjetër”, tha sot Rama.

Ai u shpreh se partnerët ndërkombëtarë janë treguar të gatshëm për zgjidhjen e situatës, ndërkohë që opozita nuk ka reflektuar.

“Natyrisht, Shqipëria që ka një trend europian të zhvillimeve të veta, Shqipëria që ka një axhendë europiane, nuk mund të presë dhe as nuk mund të vazhdojë të paguajë kostot e politikës së vjetër të rrugës, të artikuluar në mënyrë të qartë edhe në mitingun e djeshëm prej Edi Ramës, i cili, në një gjendje tepër të mjeruar do të thoja, pati vëmendje dhe kohë që të sulmonte si gjithnjë edhe Fatos Nanon, edhe Ilir Metën”, tha Rama.

Ai theksoi se këto dy personalitet të së majtës europiane në Shqipëri e mbajtën Partinë Socialiste për tetë vjet në pushtet, të cilët e transformuan PS në në një parti të së majtës demokratike europiane.

“Z. Nano dhe z. Meta e bënë PS-në një shkollë të respektimit të vlerave demokratike, të ngritjes së institucioneve demokratike, dhe sulmet e djeshme të Edi Ramës, janë shprehje e një kompleksi inferioriteti dhe një fobie të njohur për tipa karakteropat, i cili, i kompleksuar prej asaj çfarë e lidh Fatos Nanon dhe Ilir Metën me emrin dhe historinë e PS-së, gjen si të vetmen rrugë sulmin kundër tyre që në thelb është një sulm ndaj vlerave të vetë PS-së, është një sulm dhe një provokim edhe kundër anëtarëve , simpatizantëve dhe të gjithë votuesve të Partisë Socialiste”, tha Rama.

Rama ka folur dhe për koncertin festiv të mazhorancës, ku u shpreh se LSI-ja do të jetë pejsë e këtij aktiviteti.

“Festa e organizuar në përkujtim të 20 shkurtit është një festë shumë më tepër sesa partiake, është një referencë që na rikthen në ditë të vështira, por edhe po aq historike, por është një referencë për të sjellë në pah të gjithë rrugën e përshkuar edhe nga Partia Socialiste prej 20 shkurtit ’91 e deri më sot , e për pasojë në atë festë do të marrin pjesë më shumë sesa përfaqësues partiakë”, tha sot Rama.

a.k/NOA

KOMENTE