Tiranë, 19 shkurt, NOA - Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, njoftoi sot gjithë poseduesit e automjeteve se ka nisur targimi i tyre me modelin e ri të targave.
Ky proces bëhet me dije se kryhet pranë drejtorive Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor dhe se ai është ideuar sipas direktivave dhe standardeve të Komunitetit Europian.
“Ky shërbim, do të kryet në rastin e targimit të parë të mjetit, apo dëmtimit të targave ekzistuese, me të njëjtat tarifa që kanë ekzistuar edhe më parë.
Risi tjetër e këtij procesi është se për herë të pare pajisen me targa të veçanta edhe makineritë bujqësore, makineritë e ndërtimit si dhe rimorkiot, kështu që ftojmë të gjithë poseduesit e këtyre mjeteve të paraqiten pranë Drejtorive të Transportit Rrugor për të kryer targimin e këtyre mjeteve”, sqaron ministria.
Duke shtuar edhe faktin se përsa i përket procedurës së aplikimit për pajisje me targë, ajo mbetet e njëjtë si më parë, ndërsa afati i kryerjes së këtij shërbimi është brenda ditës.
Gjithashtu, ministria njofton se zëvendësimi i targave të vjetra, me targat e reja do të bëhet në mënyrë graduale.
Duke pohuar se me përfundimin e këtij procesi do të kemi një regjistër real të mjeteve që qarkullojnë në territorin e Shqipërisë.
n.e/NOA