English

PD: Prokuroria, e papërgjegjshme

Tiranë, 19 shkurt, NOA – Mos hetimi i organizatorëve të demonstratës së datës 21 janar, sipas Partisë Demokratike është shenja e implikimit të prokurorisë në pucin kundër shtetit.

Deputeti i PD-së Gerti Bogdani deklaroi sot se kjo sjellje është e papërgjegjshme.

“Ky qëndrim antikushtetues i prokurores së Përgjithshme është në sintoni me deklaratat dhe me sjelljen politike të kryetarit të Partisë Socialiste, Edvin Kristaq Rama.

Përjashtimi nga hetimi i atyre, që organizuan dhe udhëhoqën grushtin e shtetit, shkon paralel me rrjedhjen e përditshme të informacioneve nga institucioni i akuzës, dhe kjo ka për qëllim sabotimin e çështjes”, tha Bogdani.

Ai u shpreh “se katër javë pas grushtit të dështuar të shtetit, për asnjë nga organizatorët e dhunës së armatosur të 21 janarit nuk është hapur çështje penale, ndërkohë kur publiku pret me padurim që përgjegjësit të vihen përballë drejtësisë”.

Ai u shpreh se veprimet e Prokurorisë janë një kërcënim për sigurinë e vendit. “Kjo është e vërteta më e rëndë e implikimit politik të “shoqes” së Bulevardit, që drejton institucionin e akuzës, për të mos e zbardhur ngjarjen dhe për t’i bllokuar dhe devijuar hetimet. Ky qëndrim është një akt i papërgjegjshëm, i rëndë, antiligjor kundër interesave të qytetarëve shqiptarë dhe një kërcënim i hapur për paqen dhe sigurinë në vend”, tha ai.

Bogdani shtoi se “maxhoranca legjitime, që qeveris vendin, i ka të gjitha mjetet dhe instrumentet për t’i dhënë përgjigjen e merituar çdo puçisti, por ajo në radhë të parë beson se është detyra e çdo institucioni që të marrë përgjegjësitë e veta”.

a.k/NOA

KOMENTE