English

Përleshje të reja në botën arabe

E shtunë, 19 shkurt 2011, NOA- Vala e protestave në botën arabe ka mbërritur edhe në Arabinë Saudite. Pakica shiite në këtë vend ka dalë në rrugë për të protestuar kundër burgosjes të vëllezërve të besimit pa proces gjyqësor.

Edhe në vende të tjera arabe kanë vazhduar protestat e përleshjet. Sipas dëshmitarëve okularë, njësitë speciale libiane kanë përdorur dhunën kundër demonstruesve gjatë së shtunës. Ata kanë mësyrë një kamp çadrash në qytetin e dytë për nga madhësia, Bengasi, për të shpërndarë demonstruesit.

Sipas informacioneve të organizatës Human Rights Watch, në protestat kundër presidentit të Libisë Mummar al-Gaddafi, duhet të kenë vdekur të paktën 84 kundërshtarë të qeverisë. Ata i kërkojnë udhëheqjes në Tripoli, që të ndalë sulmet. Ndërkohë në Jemen, në kryeqytetin Sanaa ka humbur jetën një student në përleshjet mes kundërshtarëve dhe përkrahësve të presidentit Ali Abdullah Saleh.

Të plagosur ka pasur edhe në një demonstratë kundër qeverisë në Algjeri, njoftojnë agjencitë e lajmeve. Për herë të parë ka pasur protesta edhe në Kuvajt, ku arabë pa nënshtetësi kanë protestuar për marrjen e shtetësisë. Ndërsa në shtetin e Gjirit Bahrejn, princi i kurorës mbretërore Salman Bin Hamad al-Chalifa ka bërë thirrje për zi kombëtare për viktimat e protestave. Më parë ai kishte urdhëruar tërheqjen e e menjëhershme të ushtrisë nga rrugët dhe kishte bërë thirrje për dialog. Opozita Bahrejneze e ka refuzuar këtë apel.

DW/NOA

KOMENTE