Tiranë, 19 shkurt, NOA – Deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Baraj tha sot për mediat se pjesëmarrja e madhe e qytetarëve dje në shesh është dëshmi e krizës së mazhorancës dhe rënies së kryeministrit Sali Berisha.
“Dje shqiptarët folën, sërish. Më të shumtë, e më të vendosur, plot 200 mijë shqiptarë e shqiptare i treguan Sali Berishës se pushteti i tij është në fakt një pushtet i rënë. Dje 200 mijë shqiptarë, nderuan bashkë me familjarët e viktimave të 21 janarit, ata katër burra të ndershëm, të cilët në demonstratën e një muaji më parë kishin ardhur në bulevard me duar në xhepa e me xhepa bosh, të detyruar nga varfëria dhe papunësia, me shpresën e vetme se pa Sali Berishën e ardhmja e tyre do të ishte më e mirë”, tha Sot Baraj.
Ai falënderoi pjesëmarrjen e qytetarëve në demonstrata dhe theksoi se qytetarët kërkojnë ndryshimin e situatës në vend.
“Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata qytetarë të lirë të këtij vendi, që dje ishin bashkë me ne në Tiranë, për të protestuar. Dëshiroj të falënderoj gjithë ata të papunë, që ndonëse në vështirësi ekonomike, sakrifikuan për të udhëtuar drejt Tiranës, me bindjen se sot më shumë se kurrë nevojitet një ndryshim i madh”, tha Baraj.
Ai theksoi se të rinjtë dhe pjesëmarrësit në demonstratë “kanë kuptuar se e ardhmja e tyre nuk mund të kalojë përmes Sali Berishës dhe që sot gjejnë tek Partia Socialiste të vetmen shpresë për të ardhmen”.
Baraj theksoi se demonstrata e djeshme ishte the thirrje për drejtësi dhe për zgjedhje.
“Dje, shqiptarët që marshuan në rrugët e Tiranës e më pas në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ishin më të shumtë se një muaj më parë. Plot 200 mijë, që i dhanë një sinjal të qartë Sali Berishës, Ilir Metës, koalicionit të tyre të turpit dhe videohajdutërisë: Ik Sali, e hapi rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme”, tha Baraj.
a.k/NOA