English

Pse duhet të festojmë

Të festojmë dhe nderojmë në emër të atyre qindra dhe mijëra të rinjve dhe të rejave, burrave dhe grave të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, të disa qindra studenteve dhe studentëve të ngujuar në grevën e urisë që 20 vjet më parë shembën bllokun bunker të regjimit Hoxhist dhe shtatoren e diktatorit më të egër që shqiptarët kanë njohur në tërë historinë e tyre

Nga Sali Berisha

Nesër është 20 vjetori i një prej ditëve më të mëdha, më të shënuara në historinë e lirisë së shqiptarëve, ditës së përmbysjes së bllokut bunker të regjimit totalitar dhe shtatores së diktatorit më barbar që Evropa ka njohur pas Luftës së Dytë Botërore, Enver Hoxhës.

Nesër është dita e kujtesës kombëtare, nderimit të vuajtjeve, persekutimeve, torturave çnjerëzore, ekzekutimeve, gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit që regjimi i Enver Hoxhës dhe bllokmenëve të tij kreu ndaj shqiptarëve në 45 vite të sundimit të tyre.

Jam sot këtu për tu ftuar ju, të dashur qytetare dhe qytetarë shqiptarë, që të bashkohemi nesër në koncertin tonë festiv; të nderojmë dhe festojmë së bashku këtë ditë që qëndron në themel të lirive dhe dinjitetit tonë njerëzor; të festojmë dhe nderojmë në emër të atyre qindra dhe mijëra të rinjve dhe të rejave, burrave dhe grave të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, të disa qindra studenteve dhe studentëve të ngujuar në grevën e urisë që 20 vjet më parë shembën bllokun bunker të regjimit Hoxhist dhe shtatoren e diktatorit më të egër që shqiptarët kanë njohur në tërë historinë e tyre.

Unë jam sot këtu për t’ju ftuar ju, të dashur qytetare dhe qytetarë të këtij vendi, që të bashkohemi nesër në koncertin tonë festiv për të nderuar së bashku qëndresën, vuajtjen, torturat, ekzekutimet pa gjyqe, internimet kolektive të pothuajse ¼ së kombit shqiptarë nga Enver Hoxha dhe bllokmenët e tij.

Ftoj nesër të bashkohen me ne të gjithë shqiptarët që i besojnë lirisë dhe vlerave të saj, si dhe që kanë në anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën më të fuqishme të lirisë së të gjitha kohërave, NATO-n, realizimin e një prej ëndrrave më të bukura dhe më fisnike të tyre.

Ftoj nesër të gjithë qytetarët e këtij vendi, të cilët lëvizin sot të lirë në mbarë Evropën, që të festojmë së bashku ditën e themelimit të lirive të vërteta tona.

Ftoj të bashkohen nesër me ne në koncertin tonë festiv të gjithë të rejat e të rinjtë, studentet e studentët, burrat e gratë, të moshuarit që besojnë tek vota e lirë dhe fuqia e saj, që besojnë se pushteti merret me votë dhe kurrë me dhunë.

Ftoj të bashkohen me ne të gjithë qytetarët e këtij vendi që besojnë dhe kontribuojnë në Shqipërinë që po ndërtojmë, vendin që po ndryshon çdo vit me shpejtësinë më të madhe, vendin që po rrit më shumë se çdo vend tjetër rrogat dhe pensionet e qytetarëve të tij, vendin që ka sot ekonomi me rritjen më të lartë në Evropë, vendin që me lumenjtë e mundit, djersës dhe reformave e shndërruam në destinacionin kryesor turistik të vitit 2011, më të bukurën e dheut, ashtu siç e ka bërë Zoti.

Të dashur qytetare dhe qytetarë,

Le të bashkohemi ne nesër për të festuar në mënyrën më të qytetëruar, më të gëzueshme, më dinjitoze, këtë ditë të madhe të jetës dhe lirive tona.

KOMENTE